Pamjet më të fundit të publikuara nga NASA e të realizuara nga teleskopi më i avancuar hapësinor që ekziston, James Webb, janë të jashtëzakonshme.
Imazhet tregojnë disa qindra yje që dikur ishin plotësisht të padukshme për ne, e mes tyre, është përjetësuar dhe momenti i shuarjes së një ylli.
Një fat i tillë, sipas ekspertëve, pret shumë yje të tjerë, e madje edhe vetë Diellin tonë. Detajet e ofruara janë të pabesueshme, krahasuar me pamjet që mund të shiheshin deri vonë të Mjegullnajës së Unazës Jugore.
Imazhi me rreze infra të kuqe konsiderohet vërtet domethënëse për astronomët, pasi për të parën herë zbulon pamjen e plotë të një procesi që deri më tani, mund të kuptohej vetëm pjesërisht. Teleskopi Webb me një vlerë prej 10 miliardë dollarësh, më i madhi dhe më i fuqishmi i lëshuar ndonjëherë në hapësirë, arrin të vëzhgojë më në thellësi të universit se kurrë më pare, madje thuhet se ai mund të kapë dritën që u krijua menjëherë pas asaj që njihet në astronomi si teoria e “Big Bang-ut”, “Shpërthimit të Madh”, e cila shënoi momentin e krijimit të universit.
Ai madje është aq i përpiktë, sa shkencëtarët do të jenë në gjendje të shohin përbërjen kimike të planetëve që ndodhen në thellësi të hapësirës e të përcaktojnë nëse ata janë të banueshëm apo jo.
Top Channel