Rashmi Kavindhya thotë për BBC se nuk kishte ëndërruar kurrë në jetën e tij se do të hynte brenda rezidencës zyrtare të presidentit të Sri Lankës në Colombo.
Një ditë pasi turma masive hynë me forcë në një nga ndërtesat më të mbrojtura në vend, mijëra njerëz si zonja Kavindhya janë grumbulluar për të parë kompleksin.
Reszidenca presidenciale përmban disa veranda, salla takimesh dhe zona ndenjeje, një pishinë dhe një lëndinë të madhe. Ngjarjet dramatike të së shtunës detyruan presidentin Gotabaya Rajapaksa të arratisej.
“Shikoni pasurinë e këtij vendi“, tha zonja Kavindhya, e cila shkoi me katër fëmijët e saj në rezidencën e presidentit.
“Ne jetojmë në një fshat dhe shtëpia jonë është e vogël, ky pallat është i popullit dhe është ndërtuar me paratë e popullit”.
Mijëra burra, gra dhe fëmijë po përpiqeshin të hynin në rezidencë dhe disa nga organizatorët e protestës po kontrollonin turmën.
Policia e Sri Lankës dhe trupat speciale qëndruan në një cep dhe panë në heshtje.
Ndërsa njerëzit enden nga dhoma në dhomë, të gjithë donin të kapnin momentin duke bërë selfie, përpara tavolinave dhe pikturave.
“Është një ëndërr e bërë realitet për mua të shoh një pallat si ky”, tha AL Premawardene i cili punon në një park argëtimi për fëmijë në qytetin e Ganeamulla.
“Ne po presim në radhë të gjata për vajgur, gaz dhe ushqim, por Rajapaksasit po bëkan një jetë tjetër.”
Udhëheqësit e protestës kanë thënë tashmë se nuk do të largohen nga rezidencat zyrtare të Presidentit Rajapaksa dhe kryeministrit Ranil Wickremesinghe derisa ata të largohen përfundimisht nga detyra.
Familjet po qëndronin përreth duke admiruar pishinën e mbushur me ujë. Shikuesit duartrokitën dhe bërtitën kur një i ri u hodh në ujin ku protestuesit ishin filmuar duke notuar të shtunën.
“Ndihem e trishtuar”, tha Nirosha Sudarshini Hutchinson, e cila po vizitonte kompleksin me dy vajzat e saj adoleshente.
“Një njeri që u zgjodh president në mënyrë demokratike u desh të largohej në mënyrë kaq të turpshme. Tani na vjen turp që votojmë për të. Njerëzit duan që ata t’i kthejnë paratë që vodhën nga vendi.”
Jashtë rezidencës, në lëndinën e përhapur të zbukuruar, qindra njerëz, budistë, hindu dhe të krishterë, po rrinin përreth. Një familje po bënte piknik në lëndinën e gjelbër, ku nuk do të ishin lejuar kurrë të uleshin 24 orë më parë.
Sri Lankasit mendojnë se protesta e tyre disamujore më në fund ka çuar në largimin e liderëve të vendit të tyre, të cilët i fajësojnë për problemet ekonomike.
Top Channel