Shefi ekzekutiv i kompanisë Tesla, Elon Musk ironizoi të hënën kërcënimin që Twitter-i i ka bërë për ta paditur, pas vendimit për të hequr dorë nga një marrëveshje për blerjen e kompanisë së medias sociale në një shumë prej 44 miliardë dollarësh.
Ai shkruante në Twitter se kompania do të duhet të jepte më shumë informacione mbi llogaritë e rreme.
Seria e postimeve në Twitter të hënën ishte përgjigja e parë publike që zoti Musk i ka dhënë Twitter-it, prej momentit që bëri publik synimin e tij për të hequr dorë nga marrëveshja (të premten e javës së kaluar) duke e akuzuar kompaninë për shkelje të disa dispozita të saj.
“Bordi i Twitter-it duhet të mendojë për dëmin e mundshëm ndaj punonjësve dhe aksionerëve të kompanisë nëse dalin të dhëna të brendshme shtesë gjatë procesit gjyqësor“, thotë analisti i kompanisë Benchmark, Mark Zgutowicz, një kompani që merret me studimin e tregjeve.
Twitter-i ka njoftuar se planifikon të padisë zotin Musk në fillim të kësaj jave dhe ta detyrojë atë ta përfundojë blerjen, thanë për agjencinë Reuters persona në dijeni të kësaj çështje.
Ekspertët ligjorë thonë se kompania 16-vjeçare e mediave sociale, ka argumenta të fortë ligjorë kundër zotit Musk, por mund të zgjedhë edhe një rinegocim ose një marrëveshje zyrtare në vend të një lufte të gjatë gjyqësore.
“Ne besojmë se arsyet e Elon Musk-ut për t’i dhënë fund marrëveshjes lidhen më shumë me rënien e çmime të aksioneve në bursë sesa me një dështim nga ana e Twitter-it për të përmbushur kërkesat e tij“, shkruante në një shënim Brent Thill, një ekspert që punon për “Jefferies”, një bankë amerikane investimesh e kompani shërbimesh financiare me seli në qytetin e Nju Jorkut.
Sipas kontratës, zoti Musk duhet t’i paguajë Twitter-it një gjobë prej 1 miliardë dollarësh nëse ai nuk mundet ta përmbushë marrëveshjen për arsye sikurse dështimi i financimit për të kryer blerjen ose nëse entet rregullatore e bllokojnë marrëveshjen. Por ky detyrim nuk do të zbatohej nëse zoti Musk i jep vetë fund marrëveshjes./Voa
Top Channel