Rreth një duzinë kandidatësh po kërkojnë këtë  të premte zëvendësimin e Boris Johnson si kryeministër, i cili dha dorëheqjen pasi Partia e tij Konservatore iu ktheu kundër, këta të fundit kërkojnë largimin e menjëhershëm të tij nga Downing Street.

Johnson tha të enjten se ai do të tërhiqej si lider konservator dhe kryeministër britanik pas dorëheqjes nga më shumë se 50 ministra të qeverisë dhe shumë prej ligjvënësve të tij .

Përplasja për të zgjedhur pasardhësin e tij – një proces që mund të zgjasë javë apo edhe muaj – është duke u zhvilluar me figura të larta dhe disa anëtarë më pak të njohur të parlamentit. Tom Tugendhat është deputeti i fundit konservator që ka shfaqur interesimin për lidership, duke iu bashkuar në këtë ambicie prokurores së përgjithshme, Suella Braverman, dhe deputetit Steve Baker.

Ndërkohë, Johnson, i rrëzuar nga një seri skandalesh dhe humbja e besimit në integritetin e tij, mbetet në punë, një situatë që kundërshtarët dhe shumë në partinë e tij thonë se është e paqëndrueshme.

“Unë mendoj se deputetët konservatorë duhet ta heqin qafe atë sot,” tha Ed Davey, udhëheqësi i Liberal Demokratëve për BBC TV. “Është thjesht qesharake që ai është kryeministër në detyrë. Asnjëherë nuk është kujdesur dhe kujdesur për asgjë në jetën e tij”.

Partia Laburiste e opozitës ka bërë gjithashtu thirrje që Johnson të largohet menjëherë, duke premtuar  se do të mbajë një votëbesim në parlament nëse ai nuk shkarkohet menjëherë.

Në fjalimin e dorëheqjes, Johnson ka thënë se është vullneti i partisë së tij që ai të largohet, ndërsa vetë nuk e përmendi fjalën dorëheqje.

Mediet kanë lakuar edhe emra të tjerë si pasues të mundshëm të Johnsonit, në mesin e tyre: sekretarja e Jashtme, Liz Truss, ish-sekretari i Jashtëm, Jeremy Hunt, sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace, e të tjerë.

 

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA