Berisha shpall Ramën armik/ Protestës paqësore të PD-së, i bashkohet LSI dhe disa deputetë të Alibeajt

08/07/2022 12:19

Protesta kombëtare e thirrur nga Sali Berisha rezultoi e qetë dhe pa akte dhune.

Grumbullimi nisi në selinë blu. Një marshim në këmbë për tu stacionuar poshtë zyrës së Edi Ramës.

Një protestë ku nuk dominoi aksioni por mesazhet. Jo vetëm për Lulzim Bashën por edhe amerikanët, të cilët e shpallën non grata Berishën.

Në podium u ngjitën shtresa të ndryshme, por peshën kryesore e kishte Sali Berisha. Mesazhi i pare me zë ishte për Edi Ramën, për t’i treguar se opozita e tij do jetë ndryshe.

“Në emër tuajin, do t’i them Edi Ramës këto fjalë: Edi Rama, ne të dy sot jemi armiq. Nëse vendosim ska blind që na ndalon”, tha Sali Berisha.

Edhe pse u thirr për qëllime ekonomike protesta rezultoi të ishte politike. U betua mbi flamur si dikur Ilir Meta në protestën e dy marsit. Por 18 ditë para se të zbresë në terren ish aleati i tij Sali Berisha nuk ngurojë të tregojë kush do jetë koka e opozitës.

“Ky është vetëm fillimi i marshit tonë të lirisë”, tha Berisha.

Lulzim Bashen nuk e përmendi me emër, por aleatja e tij Monika Kryemadhi vendosi tia kujtoje publikisht.

“Sot më shumë se kurrë detyra e opozitës është që të mos zhgënjejë shqiptarët siç i zhgënjyen një vit më parë”, tha Monika Kryemadhi.

Jo vetëm aleatë. Protestës së Berishës iu bashkuan edhe demokratët që deri dje ishin rreshtuar krah Bashës.

Edhe pse nuk zunë kryet e sheshit, por cepet e tij, nuk kaluan pa rënë në sy deputetet Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Bledjon Nallbati, Saimir Korreshi, Dashnor Sula, Fatjon Veizaj dhe Alfred Rushaj.

Ata të cilët nuk nguruan të tregojnë vendodhjen e tyre ishin Grida Duma dhe Ervin Salianji.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA