SHBA “përplasje” me Europën për Ukrainën: Ndihma urgjente, jo vetëm afatgjatë

06/07/2022 13:50

Ambasadori amerikan në Zvicër i kërkoi aleatëve të Ukrainës që të ndihmojnë vendin e goditur nga lufta të përmbushë nevojat “e menjëhershme dhe urgjente”, jo të mendohet vetëm për rindërtimin afatgjatë.

Ky i fundit u shpalos si objektiv në konferencën dy ditore të mbajtur në Lugano, e cila synonte ndihmën për Ukrainën pasi të përfundojë konflikti i saj me Rusinë. Miller i shtoi një dozë urgjence Konferencës së Rimëkëmbjes së Ukrainës në Lugano, në të cilën kryeministri ukrainas një ditë më parë prezantoi një plan prej 750 miliardë dollarësh për të ndihmuar vendin e tij që të rimëkëmbet tani, aty ku është e mundur, si dhe menjëherë pas luftës dhe në planin afatgjatë.

Shumë pjesëmarrës theksuan se përpjekjet do të zgjasin me vite dhe rindërtimi do të duhej të bëhej në disa faza. Disa kërkuan mbështetje për Ukrainën përgjatë linjave të Planit Marshall të SHBA-së për Evropën pas Luftës së Dytë Botërore, duke lënë të kuptohet për një projekt të madh afatgjatë. “Ndërsa ne e njohim rëndësinë e përgatitjes për të ardhmen e Ukrainës, të gjithë ne duhet të përmbushim angazhimet tona për t’i siguruar Ukrainës nevojat e saj imediate dhe urgjente”, tha Miller.

Disa paralajmëruan se nuk ka gjasa që kjo të bëhet shpejt. “Unë me të vërtetë e kuptoj se ne duam të jemi gati brenda natës – për të filluar nesër”, u tha gazetarëve presidenti zviceran Ignazio Cassis. “Por ne e deklarojmë qartë: Ky është hapi i parë i një udhëtimi të gjatë”. Edhe vetë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e bëri të qartë se pritshmëritë e vendit të tij janë që ndihma të vijë sa më shpejt.

“Kur flitet për rindërtim, shpesh theksi vihet në vendin e gabuar. Nuk është e rëndësishme vetëm se çfarë do të bëjmë pas fitores sonë dhe në vitet në vazhdim, duhet të mendojmë se çfarë do të bëjmë sot, se për shumë njerëz gjendja është e mjerueshme”.

Një dokument përfundimtar i quajtur si “Deklarata e Luganos” parashtronte synimet për të ndihmuar rindërtimin e Ukrainës që ka të bëjë me transparencën e qeverisë, respektin për mjedisin dhe luftën kundër korrupsionit që ka pllakosur vendin që kur u nda nga Rusia pas përfundimit të Bashkimi Sovjetik tre dekada më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA