50 deri 200 mijë lekë për një varr! Skandali në Tiranë, në pranga drejtori i varrezave të Tufinës (Emri)

06/07/2022 11:30

Drejtori i varrezave të Tufinës, Eliodor Ndini ka rënë në prangat e policisë këtë të mërkurë, i akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre, pas operacionit të zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë dhe seksioni i Krimit Ekonomik.

Operacioni po zhvillohet në bazë të një procedimi të nisur nga seksioni i Krimit Ekonomik të Policisë së Tiranë, për Drejtorinë e Varrezave në Tufinë.

Sipas informacioneve, deri më tani janë arrestuar drejtori i varrezave, dy janë në kërkim, kurse dy të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.

Drejtori në bashkëpunim me të tjerë kërkonin nga qytetarët nga 50 deri 200 mijë lekë të reja për një vend në varreza.

Sipas informacioneve janë tetë të ndaluar, ndërsa operacioni vijon ende. Hetimi është zhvilluar me metoda speciale ndërsa janë dokumentuar rastet dhe zbuluar edhe abuzime me tenderë në fusha të tjera.

Nuk është hera e parë e zbulimit të këtij skandal në vendin tonë, ku bëhet pazar me vdekjen.

Në vitin 2021 emisioni investigativ në Top Channel, Fiks Fare denoncoi skandalin me zë e figurë në varrezat e Tufinës në Tiranë, duke sjellë fakte se si bashkëpunonin punonjësit, të cilët kishin rrethuar vende, duke i kamufluar si varre, por që në të vërtetë ishin bosh dhe u jepeshin atyre që paguanin.

Në adresën e Fiks Fare mbërriti një video nga një qytetar, i cili tregonte dhjetëra varre të rrethuara, madje edhe me emra sipër, por që ishin bosh. Këto vende ishin shitur nga punonjësit e përgjegjësit e varrezave, duke i kamufluar si varre të vërteta.

Pas këtij informacioni, gazetarët e Fiksit kontaktuan me një punonjës të varrezave të Tufinës, i cili tregoi se në varreza ka vende të rrethuara me beton si varre, të cilat janë bosh, por kundrejt ryshfetit janë blerë nga qytetarë të ndryshëm.

Edhe bashkëpunëtori i Fiksit u hoq sikur donte një vend për varr. Punonjësi i varrezave ia merr përsipër gjetjen e vendit, por për këtë ai duhet të paguante 350 mijë lekë të vjetra. 300 mijë lekë ishin për vendin dhe 50 mijë lekë për vendosjen e një kornize betoni për t’i dhënë formën e një varri. Lekët, sipas punonjësit, nuk i donte vetëm për vete, por për shefat. Për ta bërë edhe më të besueshëm varrin, sipër do i vendosej edhe një emër i sajuar.

Top Channel