Në një farmaci në qendër të Lionit, testet e Covid 19 kanë rinisur, e gjurmimi po tregon një rritje të ndjeshme të rasteve pozitive.
“Janë shtuar në mënyrë të frikshme”, thotë farmacisti Erwan Greaud, që këto ditët e fundit, ka numëruar mbi 50% infektime mes personave që kanë kërkuar të testohen.
Për Agjencinë franceze të Shëndetit Publik, “vala epidemike” në rajonin e Rhone-s, është e një “dinamike amflikuese”.
“Kemi raste përditë; pothuajse 1 në 2 raste është pozitiv. Pra, pozitivë rezultojnë 50% e rasteve të personave të testuar. Infektimet po rriten shumë shpejt”, tha farmacisti.
Autoritetet franceze kanë rekomanduar që të rikthehen maskat e fytyrës pasi infektimet me COVID-19 janë rritur me ritme shqetësuese brenda vendit.
Sipas tyre, një rekomandim i tillë mund të frenojë dhe valën e vizitorëve, të cilët janë paralajmëruar të bëjnë kujdes pasi në Francë pandeminë po sheh një hov të ri.
Numri i personave të shtruar në spital atje për shkak të koronavirusit është shtuar ndjeshëm këto dy javët e fundit.
Sipas zyrtarëve francezë të shëndetësisë, pothuajse një mijë pacientë të infektuar me koronavirus trokasin në dyert e klinikave çdo ditë.
Zëdhënësja e qeverisë franceze, Olivia Gregoire, tha se nuk planifikojnë të rivendosin sidoqoftë kufizime kombëtare për tubimet në ambiente të mbyllura apo aktivitete të tjera.
Qytetarët janë lodhur nga kufizimet, u shpreh ajo, e në të njëjtën kohë, vuri në dukje se qeveria ka besim se njerëzit do të sillen me përgjegjësi tani që rastet e infeksionit po rriten sërish.
Top Channel