Thatësira e madhe që ka pllakosur disa pjesë të SHBA-së, ka hedhur një tjetër dritë mbi të shkuarën e errët të mafias atje.
Një rezervuar gjigant i Las Vegasit po tkurret pas dekadash të tëra thatësire ekstreme, e me rënien e nivelit të ujërave të tij, po dalin në sipërfaqe dhe shumë mëkate të së kaluarës.
Përfshirë trupat e të vrarëve nga bandat mafioze. Një skelet i gjetur së fundi me plumb në kokë, mendohet se mund t`i përkasë Johnny Pappas, një emër i njohur dikur për kazinotë në zonë.
Pak përpara se të zhdukej gushtin e 1976-tës, ai i pati thënë të shoqes se po shkonte për drekë me dikë që kishte shfaqur interes të blinte varkën e tij.
“Në Las Vegas, reputacioni i grupeve mafioze ishte se kur donin të hiqnin qafe dike, e varrosnin në shkretëtirë? I çonin atje, i vrisnin e i groposnin. Por ajo për të cilën nuk është folur shumë, është edhe zhdukja e trupave përmes hedhjes në liqenin Mead. Trupi që gjetën atje brenda një fuçie, ishte qëlluar në kokë. Pra ishte viktimë e një vrasjeje, që ka ndodhur nga fundi i viteve 1970”, tha Geoff Schumacher, zv/president i Mob Museum.
“Mes hamendësimeve se kujt i përket trupi, kandidati më i mundshëm duket Pappas. Ai punonte në të njëjtën kompani të kontrolluar nga mafia që zotëronte hotelin Stardust dhe zonën në liqenin Mead, e kishte gjithashtu një varkë të cilin po përpiqej ta shiste”, shtoi më tej Schumacher.
Për vite me radhë, autoritetet ligjzbatuese kanë hamendësuar se zhdukja e Johny-t mund të ketë qenë vepër e Tony Spilotro, i dyshuar për mbi 20 vrasje.
Spilotro vdiq në 1986 dhe u kthye gati në legjendë, pasi mbi figurën e tij u bazua personazhi Nicky Santoro in Martin Scorsese ne filmin Casino, i interpretuar nga Joe Pesci.
E sa më shumë rezervuari e Mead vazhdon të zvogëlohet, aq më tepër sekrete të përpara shumë dekadash pritet të nxjerrë ai tani në dritë.
Top Channel