Video/ Shembja e akullnajës në Itali i merr jetën pesë personave, orteku dëmton rëndë tetë të tjerë

03/07/2022 18:45

Të paktën pesë persona kanë humbur jetën pasi u kapën nga një ortek i shkaktuar nga shembja e një akullnaje në Alpet veriore italiane.

Zyrtarët e urgjencës njoftuan se tetë të tjerë u plagosën nga shembja, ndërsa dy persona janë lënduar rëndë.

Pesë helikopterë dhe dhjetëra punonjës të urgjencës janë dërguar në vendngjarje për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit.

Alpinistët e plagosur, përfshirë një person të mbetur në gjendje kritike, u dërguan në disa spitale përreth zonës, thanë zyrtarët e shpëtimit.

Në një postim në Twitter, shërbimi lokal i urgjencës tha se beson se 15 persona alpinistë ishin në grupin në momentin e shembjes.

Nuk është menjëherë e qartë se çfarë e shkaktoi shembjen e pjesës së akullnajës.

Por Walter Milan, një zëdhënës i shërbimit të shpëtimit, i tha televizionit shtetëror se zona ka përjetuar temperatura jashtëzakonisht të larta ditët e fundit.

“Nxehtësia është e pazakontë,” tha Milan, duke vënë në dukje se temperaturat kanë arritur 10 gradë Celsius në kulmin e akullnajës ditët e fundit.

Reinhold Messner, një alpinist italian, i tha gazetës La Republica se akullnaja është duke u tërhequr prej disa vitesh për shkak të ndikimit të ngrohjes globale.

Ai vuri në dukje se akullnajat herë pas here shemben “për shkak të gravitetit”, por tha se arsyeja e tërheqjes së akullnajës “është nxehtësia globale, e cila shkakton shkrirjen e akullnajave”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA