Frika e trazirave është rikthyer në Malin e Zi duke detyruar presidentin Milo Gjukanovic të hedhë poshtë mundësinë e një marrëveshjeje të afërt mes Qeverisë në Podgoricë dhe Kishës Ortodokse Serbe, në përpjekje për të ulur tensionet që po ngrenë krye sërish.

Kryeministri Dritan Abazovic tha më herët se pavarësisht krisjeve të koalicionit, qeveria e tij do të nënshkruante një “marrëveshje thelbësore” që do të përmirësonte marrëdhëniet e ndjeshme me Kishën Ortodokse Serbe, e cila ka ndikim të konsiderueshëm ne vendin e tij dhe brenda koalicionit qeverisës. Shumica e malazezëve janë besimtarë ortodoksë nën Kishën Ortodokse Serbe, e cila ka një degë të sajën në Çetinje, e quajtur “Mitropolia e Malit të Zi dhe Bregdetit”. Gjukanoviç u përpoq ta spostonte vëmendjen nga çështja nevralgjike.

Më e rëndësishmja për Malin e Zi është që të zhbllokojë procesin e negociatave dhe të ecë përpara drejt Europës. Por për shkak të rrethanave, kjo e fundit është shndërruar në një çështje tejet e rëndësishme politike. Duhet vetëm të ulim tensionet dhe media nuk duhet të rrisë më tepër se ç’duhet rëndësinë e kësaj çështjeje“, u shpreh Gjukanoviç.

Pas njoftimit të Abazoviçit, disa protesta u organizuan në Podgoricë. Përveç çështjeve të pazgjidhura rreth pronës dhe parësisë, kisha serbe është përzier disa herë edhe politikisht në çështjet malazeze, përfshi organizimin e protestave përpara zgjedhjeve që rrëzuan aleatët qeverisës të Gjukanoviçit në vitin 2020. Kritikët thonë se projekt-marrëveshja njeh subjektivitetin ortodoks serb gjashtë shekuj më herët sesa i jepet kishës në vetë Serbinë dhe se ajo shtrin në mënyrë të pasaktë ndikim në territorin malazez.

Gjithashtu thuhet se ujdia përcaktohen kriteret për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të regjistrimit mbi pronat. Kisha serbe kontrollon qindra prona në të gjithë Malin e Zi. Abazoviç nuk sqaroi se kur pritet të firmoset kjo ujdi. Gjukanoviç nga ana e tij e ka kthyer identitetin malazez në pikë të rëndësishme të brendshme dhe ka tentuar që ta frenojë ndikimin e kishës serbe në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA