Gruaja e moshuar nuk është në rrezik për jetën dhe po trajtohet në spitalin e Wyoming pas episodit në parkun e famshëm kombëtar.
71-vjeçarja nga Pennsylvania u godit dje nga briri i bizonit në parkun kombëtar të Yellowstone, “në incidentin e tretë të këtij lloji prej fillimit të vitit” thanë zyrtarët.
Vizitorja bashkë me të bijën i ishin afruar bizonit me automjetin e tyre pranë liqenit të Yellowstone, “duke bërë që mashkulli të niste sulmin”, thanë zyrtarët e parkut.
“Ky incident mbetet duke u hetuar dhe nuk kemi të tjera informacione për të shpërndarë”, shtonin ata.
Herën e fundit, më 27 qershor një burrë 34-vjeçar nga Colorado u godit nga bizoni mashkull në një situatë të ngjashme dhe pësoi plagë në krah.
“Burri po shëtiste me familjen në rrugekalimin e vizitorëve kur bizoni mashkull sulmoi me vrull grupin. Familjarët nuk u larguan nga vendi dhe bizoni goditi me bri burrin”, thanë asokohe zyrtarët.
Ndërsa më 30 maj një vajzë 25-vjeçare nga Ohio u sulmua pasi iu afrua më pak se 3 metra bizonit të parkut. Rrjedhimisht ajo pësoi disa plagë mes të cilave dhe një të shpuar briri.
Në atë incident disa njerëz i ishin afruar bizonit në një kohë kur rregullorja thotë se vizitorët duhet të qëndrojë 8 metra larg kafshëve të mëdha e të fuqishme.
Zyrtarët këshillojnë të gjithë vizitorët të qëndrojnë të paktën 8 metra larg kafshëve të egra si bizonët, drerët, rosat apo kojotët.
“Nëse është nevoja ata duhet të ndryshojnë rrugën e tyre për të shmangur ndërveprimin me kafshët e egra. Bizonët në veçanti janë të paparashikueshëm dhe mund të vrapojnë tre herë më shpejt se njerëzit”, këshillohet në instruksione.
Top Channel