“Rusia do të përgjigjet në të njëjtën monedhë nëse NATO dislokon trupa ushtarake në Finlandë e Suedi, pasi ato t`i bashkohen aleancës ushtarake të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara”, paralajmërimi vjen nga presidenti rus Vladimir Putin, i cili reagoi në këtë mënyrë pas lajmeve se pengesa në rrugën e anëtarësimit të dy vendeve nordike, vetoja turke, u hoq.
“Suedia dhe Finlanda duan t`i bashkohen NATO-s? Po le ta bëjnë. Vetëm se duhet ta kuptojnë që përpara, nuk kishte asnjë llojë kërcënimi ndaj tyre, por tani nëse kontigjentë dhe infrastukturë ushtarake dërgohen atje, atëherë do të na duhet të përgjigjemi me të njëjtën mënyrë e të krijojmë të njëjtat kërcënime për territore nga ku mbërrijnë kërcënime ndaj kufijve tanë”, tha Putin.
Putin e akuzoi NATO-n për qëllime perandorake, dhe se përmes konfliktit në Ukrainë, po kërkon të afirmojnë supremacinë e saj. Konflikti tashmë është në ditën e 127. Sa më shumë ai zgjatet, aq më shumë rritet, sipas numrit një të inteligjencës amerikane Avril Haines, mundësia që Moska të përdorë armë atomike.
“Shërbimet tona të inteligjencës pajtohen me idenë se kjo situatë do të vazhdojë për një kohë të gjatë. Gjërat nuk duken mirë dhe qëndrimi i Rusisë kundrejt Perëndimit po ashpërsohet. Mendojmë se ata mund të mbështeten gjithmonë e më shumë tek mjetet asimetrike që kanë si sumet kibernetike, përpjekjet për të kontrolluar energjinë e madje edhe armët atomike me qëllimin të përpiqen të menaxhojnë e të projektojnë globalisht pushtet dhe influencë”, tha Drejtoresha e Zbulimit Kombëtar SHBA, Avril Haines.
Haines shtoi se Rusia kontrollon rreth 20% të Ukrainës përgjatë një linje konflikti 1,100 kilometra të gjatë.
Megjithatë ajo tha se rezistenca e ukrainasve në rajonet e pushtuara po rritet, duke e bërë më të vështirë për rusët të përparojnë përtej rajonit të Donbasit në lindje, ku kanë pushtuar pothuajse të gjithë provincën e Luhanskut, por ka bërë përparim më të vogël në Donetskun fqinj.
“Një zgjidhje paqësore nuk ka të ngjarë të arrihet”, u shpreh Haines.
Top Channel