Biden: SHBA do të forcojë pozicionin në Evropë

29/06/2022 13:33

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të ndryshojnë strategjinë ushtarake në Evropë, për shkak të pushtimit rus në Ukrainë.

Duke folur pasi është përshëndetur me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, në samitin e aleancës që është duke u mbajtur në Madrid, Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të rrisin numrin e armëve shkatërruese që kanë në Spanjë në gjashtë, nga katër sa kanë aktualisht.

Përveç tyre, Uashingtoni do të dërgojë dy skuadrilje shtesë F-35 në Britani dhe do të krijojë një bazë ushtarake në Poloni.

Aleanca është më e nevojshme se kurrë më parë, ka thënë Biden, duke shtuar se NATO-ja do të “forcohet në të gjitha drejtimet – në tokë, ajër dhe det”.

Stoltenberg ka thënë në nisje të ditës së dytë të samitit se NATO-ja po përballet me sfidat më të mëdha prej Luftës së Dytë Botërore, pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, duke shtuar se Moska përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e vendeve anëtare të aleancës.

Stoltenberg ka thënë se aleatët do të takohen në “kohën e krizës më serioze”, duke shtuar se “samiti do të jetë historik dhe transformues”.

“Ne do të deklarojmë qartë se Rusia përbën kërcënim për sigurinë tonë”, ka thënë Stoltenberg.

Përditësimi i fundit i politikave të NATO-s është bërë më 2010.

Lufta në Ukrainë ka krijuar një atmosferë të re brenda aleancës perëndimore, pas disa viteve të mospajtimeve të brendshme dhe rritjes së tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, në kohën sa Donald Trump ka qenë president i SHBA-së.

Presidenti rus Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA