Plan Marshall për Ukrainën/ G7-ta “hedh para”

28/06/2022 20:23

Liderët e shtatë vendeve të industrializuara të botës e përfunduan takimin e tyre të shumë mediatizuar me një qëndrim të bashkuar në mbështetje të Ukrainës për aq kohë sa do të jetë e nevojshme, teksa vendi paqësor përballet prej disa muajsh me një agresion brutal e të paprovokuar.

Në mbyllje të samitit të G7-tës, udhëheqësit e tij e bënë të qartë se po shqyrtojnë hapa të mundshëm për të kufizuar të ardhurat e Kremlinit nga shitja e naftës, me të cilat financon luftën.

“Ishim të gjitha dakord: Presidenti Putin nuk duhet ta fitojë këtë luftë. Ne do të vazhdojmë ta rrisim koston ekonomike dhe politike të konfliktit për Putinin dhe regjimin e tij. Ne diskutuam gjithashtu rindërtimin afatgjatë të Ukrainës. Për këtë do të ketë para shtesë, por ç’është më e rëndësishmja jemi të bashkuar tek çështja e rindërtimit. na duhet një plan Marshall për Ukrainën, i cili të mendohet dhe zhvillohet me kujdes”, tha Scholz.

Deklarata përfundimtare nga takimi i G-7 parashtron nevojën të merren masa që ndalojnë importin e naftës ruse përtej një çmimi tavan. Përpos angazhimit për të ndaluar importin e arit rus, pjesëmarrësit u pajtuan të  shtojnë ndihmat për vendet e prekura nga mungesa e ushqimit, si rezultat i bllokadës ruse ndaj dërgesave të drithërave ukrainase përmes Detit të Zi. Presidenti i SHBA Joe Biden ka premtuar një fond prej 2,76 miliardë dollarë amerikanë në përpjekjet për të zbutur probleme me urinë dhe për të siguruar ushqime.

Dy miliardë dollarë do të përdoren për të shpëtuar jetën e njerëzve nga uria, nëpërmjet veprimeve të drejtpërdrejta humanitare. Ndërsa 760 milionë dollarë janë caktuar për ndihmë të qëndrueshme ushqimore afatshkurtër dhe afatmesme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA