Gjykata e Kukësit vendosi të lirojë nga burgu shqiptarin Burim Duraku, i cili akuzohet për veprën penale “Vrasje me Paramendim në Bashkëpunim”.
Në bazë të kërkesës të paraqitur nga mbrojtësi Av. Sokol Tahiraj i Burim Durakut , Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës ka pranuar kërkesën për shuarjen e masës së sigurimit për arsye humbje e fuqisë së paraburgimit për tejkalim të afateve maksimale hetimore nga koha e përcaktuar në bazë të nenit 261 / 1c / të Kodit të Procedurës Penale.
Burim Duraku u arrestua më datë 20.12.2019 pasi kërkohej nga drejtësia greke.
Sipas burimeve të Anila Hoxhës që i konfirmuan këtë vendim të gjykatës, Duraku dyshohet se vrau në Greqi në maj të vitit 2010 shtetasen Artemis Vasilopou.
Ngjarja sipas autoriteteve vendase ndodhi në vendin e quajtur Argostoli të Kefalinias të Greqisë, ku Duraku, në bashkëpunim me shtetasin Sh. D., të maskuar janë futur në banesën private të shtetases greke.
Pasi kanë tentuar pa sukses të shpërthenin me një mjet të mprehtë derën midis kuzhinës dhe sallonit, e cila ka qenë e kyçur, e kanë thyer derën dhe janë futur brenda.
Aty kanë gjetur shtetasen greke A. V., të cilës i kanë lidhur duart dhe këmbët me një shirit ngjitës. Më pas kanë grisur me thikën një copë xhakete dhe e kanë mbështjellë me shiritin ngjitës duke i zënë frymën e më pas i kanë vënë në kokë një qese plastike dhe si pasojë e asfiksisë ajo ka gjetur vdekjen.
Këta dy shtetas më pas i kanë vjedhur një shumë të hollash dhe disa sende të çmuara viktimës.
Top Channel