Maqedonia e Veriut fare pranë vendimit për hapjen e bisedimeve me BE-në. Në Bullgari është arritur një kompromis mbi propozimin francez për bisedimet mes Shkup – BE. Vendimi pritet të votohet në parlamentin bullgar.

Maqedonia e Veriut (MV) është shumë pranë vendimit të shumëpritur për filllimin e bisedimeve të antarësimit me BE-në.

Nga 27 vende anëtare të Bashkimit Europian, deri tani kishte mbështetjen e 26 shteteve anëtare, por jo të Bullgarisë, e cila e ka mbajtur pezull për shkak të çështjeve bilaterale me Maqedoninë e Veriut.

Por së fundmi në Bullgari është arritur një kompromis mbi propozimin francez për bisedimet mes Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian. Ky vendim tashmë pritet të votohet në parlamentin bullgar mbrëmjen e së mërkurës (22.06).

Për ta dëgjuar lajmin e shumëpritur për Ballkanin, tre liderët e Ballkanit Perëndimor Perëndimor, kryeministri i MV Dimitar Kovaçevski, ai i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Serbis Aleksandar Vuçiq  kanë konfirmuar prezencën e tyre në samit. Kryeministri Kovaçevski para nisjes për në Bruksel deklaroi, se derisa nuk sigurohet progres i procesit do të cënohet besueshmëria e BE-së dhe Ballkanit.

“Morëm vendim që edhe njëherë të dëshmojmë që Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia kanë të ardhme evropiane. Vendosëm se duhet para vendeve mike, që janë të përkushtuara për përparimin e rajonit në planin ekonomik dhe politik dhe që angazhohen për procesin e shpejtë të integrimit europian, t’i përsërisim përpjekjet tona për rrugëtimin evropian të të gjithë Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Kovaçevski.

Zbardhen detajet e propozimit të Francës

Mësohen detajet e katër kërkesave kryesore bullgare për thirrjen e Konferencës së parë ndërqeveritare midis Brukselit dhe Shkupit. Së pari është theksuar kërkesa për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. “Qeveria e Maqedonisë së Veriut merr përsipër që para Konferencës së Parë Ndërqeveritare të përfundojë procedurat e duhura dhe t’i përfshijë në Kushtetutën e saj qytetarët e saj, të cilët jetojnë në territorin e vendit dhe janë pjesë e popullsisë bullgare”.

Në lidhje me gjuhën e urrejtjes, të dyja palët do të angazhohen për masa kundër propagandës që i dëmton marrëdhëniet dypalëshe. “Palët e konfirmojnë angazhimin e tyre për të ndërmarrë veprime kundër gjuhës së urrejtjes dhe të bëjnë identifikimin e përbashkët të rasteve të tilla në mbishkrimet e godinave dhe monumenteve publike, tekstet shkollore dhe programet mësimore, si dhe në media ”.

Kërkesa e tretë ka të bëjë me Komisionin e Përbashkët për Çështjet Historike, ndërsa kërkesa e katërt ka të bëjë me viktimat e regjimit komunist dhe Protokolli e detyron Qeverinë e Maqedonisë që të kërkojë falje për represionet e bëra, siç thuhet, regjimi komunist jugosllav ndaj qytetarëve me vetëdije bullgare.

VMRO-DPMNE: Propozimi i Francës është i papranueshëm

As protokolli bullgaro-maqedonas dhe as propozimi francez nuk janë shpalosur në Kuvend, pretendon kryetari i Komisionit për politikë të jashtme nga rradhët e VMRO-DPMNE-së  Antonio Milloshoski. Sipas tij, dy dokumentet i posedojnë kryeministri dhe ministri i Jashtëm, por i mbajnë të fshehur nga deputetët dhe opinioni.

“Deri tani, kryeministri Kovaçevski dhe ministri i Jashtëm, Osmani nuk i kanë dorëzuar në Kuvend as Protokollin bullgaro-maqedonas dhe as propozimin francez mbi kornizën negociuese edhe pse kemi informacione të besueshme që të dy i posedojnë këto dokumente dhe kanë marrë pjesë në përpilimin e tyre bashkarisht me qeverinë bullgare. Kjo jotransparencë e Qeverisë ndaj Kuvendit bie në kundërshtim me parimin e llogaridhënies”, ka deklaruar Antonio Milloshoski.

VMRO kërkon zgjedhje që populli të vendosë nëse bëhet fjalë për vendimin e duhur. “Propozimi për vënien e kërkesave bullgare në suaza të negociatave me BE-në është miratuar nga Kovaçevski dhe Osmani. VMRO-DPMNE nuk kalkulon me interesat nacionale maqedonase siç bën LSDM. VMRO-DPMNE e refuzon propozimin nga Parisi dhe vlerëson se ai çon drejt asimilimit të maqedonasve dhe bullgarizim të shtetit”, tha Ivica Tomovski nga VMRO-DPMNE.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA