Greqi/ Mbyten emigrantët. Autoritet shpëtuan 108 persona, mbyten 8, tre prej tyre ishin fëmijë

20/06/2022 12:18

Fëmijë të tmerruar që mbahen fort me njëri-tjetrin brenda një varke që po fut ujë. Janë rrëqethëse pamjet e një video nga një varkë me vela e superngarkuar me mbi 100 emigrantë e cila ka humbur kontrollin pak milje detare larg nga ishulli turistik i Mykonos në mes të një deti të trazuar.

Për më shumë se 24 orë anije të Marinës Detare greke kanë vazhduar operacionin e shpëtimit pasi barka prej 14 metrash e cila vinte prej brigjeve turke drejt atyre greke me destinacion Italinë, ka pësuar një defekt mekanik dhe ka filluar të fuste ujë.

Deri në mbrëmjen e së dielës ekipet e ndihmës së shpejtë kanë shpëtuar 108 emigrantë, mes të cilëve 24 gra, 21 fëmijë dhe  63 burra. Por konsiderohen të humbur 4-8 persona mes të cilëve tre fëmijë, 3, 8 dhe 15-vjeç.

“Roja bregdetare ka shpëtuar edhe një herë jetë të emigrantëve , të cilët qarqet e pamëshirshme të trafikantëve i vënë në rrezik vdekjeprurës, pa marrë as masat elementare të mbrojtjes. Përgëzoj të gjithë për përpjekjet e tyre në kushte të vështira.Greqia po i mbron kufijtë e saj me vendosmëri, por prioriteti i saj i parë është gjithmonë mbrojtja e jetës njerëzore”, tha Giannis Plakiotakis, Ministri i Transportit dhe Politikës Ishullore.

Operacioni i shpëtimit u krye  në kushte të vështira pasi në zonë mbizotëronin erëra të fuqishme  dhe deti ishte mbi shtatë ballë.

Në fillim janë mobilizuar tre gomone patrullimi të rojes bregdetare, një rimorkiator ka lundruar nga Mykonos, ndërsa ka mbërritur edhe një ekip i misioneve nënujore .

Barka nuk ishte e pajisur me asnjë mjet shpëtimi dhe asnjë nga të mbijetuarit nuk kishte veshur jelek shpëtimi.

Ajo është rimorkuar fillimisht në ishullin Agios Georgios, ndërsa të gjithë emigrantët e shpëtuar janë sjellë në ishullin e Mykonos ku Bashkia me autoritetin portual u kanë siguruar gjërat bazë të nevojshme, ushqim, qumësht dhe madje edhe lodra për fëmijët e vegjël.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA