Që kur Emmanuel Macroni u bë kandidat presidencial në zgjedhjet e vitit 2017 që e sollën në pushtet, kundërshtarja e tij kryesore e deklaruar ka qenë Marine Le Pen e ekstremit të djathtë.
Partia e tij hartoi strategji për të mposhtur lëvizjen e Le Penit Rassemblement National, ish-Front National, në zgjedhjet lokale, rajonale dhe kombëtare. Kjo nuk e pengoi të djathtën ekstreme të fitonte terren në zgjedhjet e fundit presidenciale, të cilat Macroni arriti t’i fitonte me një epërsi më të ngushtë se pesë vjet më parë.
Por sot, nuk është e djathta ekstreme ajo që i nxjerr Macronit më shumë telashe, por është e majta ekstreme.
Partia e Macronit dhe aleatët e saj kanë fituar shumicën e vendeve në Asamblenë Kombëtare, në parlamentin e Francës, por u mungojnë disa dhjetëra parlamentarë për të arritur një shumicë absolute.
Partia e Le Penit e ka rritur numrin e vendeve të saj rreth dhjetëfish, nga vetëm tetë që kishte në 2017.
Megjithatë, është Aleanca e Re Popullore Ekologjike dhe Sociale, e njohur si Nupes, nën kujdesin e La France Insoumise të Jean-Luc Mélenchon-it, liderit të ultra të majtëve, e cila doli në vendin e dytë.
Aleanca e majtë, e cila përfshin edhe socialistët, komunistët dhe Të Gjelbrit, i joshi votuesit me masa mjedisore dhe sociale, madje duke premtuar “punë të garantuara për të gjithë”. Platforma është gjithashtu proteksioniste – duke u zotuar të shtetëzojë gjigantët e energjisë dhe të rezervojë tenderët publikë për kompanitë franceze – dhe euroskeptike, pasi rekomandon thyerjen e disa rregullave të BE. Ajo Është gjithashtu në favor të largimit nga aleanca ndërkombëtare e mbrojtjes, NATO.
Franca nuk është mësuar të krijojë koalicione
Të mos kesh një shumicë absolute në Parlament nuk do të ishte domosdoshmërisht tragjike në vende të tjera si Gjermania, ku partitë janë mësuar të krijojnë koalicione dhe të punojnë së bashku.
Në Francë, kjo ka të ngjarë të jetë më problematike.
Hera e fundit që një situatë e tillë ndodhi ishte midis viteve 1988 dhe 1991, nën ish-presidentin socialist François Mitterrand, kur partisë së tij i mungonin 14 vende për të arritur një shumicë absolute prej 289 deputetësh.
Qeverisë së tij i duhej të merrte mbështetje nga partitë e djathta dhe të majta për të miratuar ligjet. Megjithatë, gjetja e një kompromisi rezultoi aq e vështirë sa qeveria socialiste i kushtëzoi masat e reja duke kërkuar votëbesimin 28 herë në tre vjet.
Por kjo mundësi e votimit të mosbesimit, e parashikuar në nenin 49.3 të kushtetutës, që atëherë është kufizuar në përdorimin e saj. Macroni dhe qeveria e tij mund ta zbatojnë atë vetëm një herë në seancën vjetore parlamentare dhe për votimin e buxhetit vjetor.
Macronin mund ta presë një “guerrilje parlamentare”
Presidenti i rizgjedhur dhe ministrat e tij duhet të kërkojnë mbështetje në të gjithë spektrin politik.
Ata gjithashtu duhet të llogarisin erëra të kundërta nga aleanca e së majtës ekstreme, e cila kundërshton masat e bazuara te tregu. Nupesi do të përdorë të gjitha mjetet e mundshme për të bllokuar dhe zgjatur diskutimet në parlament.
17 parlamentarët e partisë La France Insoumise e kanë bërë tashmë këtë për pesë vitet e fundit. Me aleancën e krahut të majtë që ka fituar rreth 10 herë më shumë vende nën udhëheqjen e të majtëve të fortë, qeveria e Macronit mund të druhet nga ajo që vëzhguesit e quajnë “luftë guerile parlamentare”.
Vetë Macroni tha para raundit të dytë të votimit se “asgjë nuk do të ishte më e keqe se shtimi i çrregullimit francez në një situatë të çrregullimit ndërkombëtar”. Ministrat e tij paralajmëruan kundër një “France të paqeverisshme”.
Një rrugë e vështirë për të drejtuar, me një fije shprese?
Por shpërndarja e re e vendeve ka të ngjarë të detyrojë gjithashtu presidentin Macron, i cili ka një reputacion për marrjen e vendimeve vetë, të marrë më shumë parasysh pikëpamjet e votuesve me prirje të majtë. Mund të jetë një mundësi që ai dhe qeveria e tij të mësojnë artin e kompromisit dhe të qetësojë disa qytetarë që aktualisht ndihen të lënë pas dore nga politikanët e lartë të kryeqytetit.
Votuesit e radikalizuar francezë – nga e djathta ekstreme dhe e majta ekstreme – mund të shihnin pikëpamjet e tyre të pasqyruara në debatet në parlamentin francez.
Kjo mund të ndihmojë në shërimin e vendit nga disa nga pikëpamjet e tij ekstremiste dhe t’i bashkojë njerëzit.
Një Francë e fortë dhe e bashkuar do të ishte një gjë e mirë. Për vetë vendin dhe për botën./ DW
Top Channel