Bota e ka drejtuar vëmendjen tek refugjatët nga Ukraina, të tjerët janë harruar. Në një kohë që miliona vetë vazhdojnë të largohen nga vendlindja. Si është gjendja e tyre? Një vështrim në itinerarin e Ballkanit.
“Në luftë kam humbur nënën e dy fëmijëve të mi. Ajo ishte gjithçka për mua”, rrëfen Kiano (emri i ndryshuar) dhe qan. Prej dy muajsh kamerunasi jeton në kampin e refugjatëve, Lipa, pranë Bihaçit. Kur u njohëm, Kiano qëndronte para kontenierëve të bardhë, ku jetojnë një gjysmë duzinë refugjatësh e flenë në krevatë marinari. Temperaturat kanë kaluar 30 gradë, një vend në hije nuk e gjen dot lehtë në kamp. Për detajet e largimit nga vendlindja, kameruni nuk do të flasë në kamp, më mirë pak ditë më vonë në telefon.
Mina të rrezikshme në kufi
“Dua të arrij një vend të Shengenit dhe të kërkoj aty azil”, thotë Kiano. Kroacia është vërtet pjesë e BE, por jo plotësisht në Shengen. Në kufi kryhen kontrolle pasaportash. Kiano do të bëjë gjithçka që të vijë në BE dhe të punojë legalisht që të mund të tërheqë më vonë fëmijët. Që nga viti 2018 kameruni 30-vjeçar ndodhet në arrati. Nga Turqia ai ka ardhur përmes Serbisë në Bosnje. Dy herë ka tentuar të kalojë kufirin boshnjako-kroat për të hyrë në BE. Një herë gati mbërriti në Slloveni. “Pas tetë ditësh marshim, ditë e natë nuk mund të ecja më”, rrëfen Kiano, për shkak të një lëndimi në këmbë.
Qytetarët kroatë kishin thirrur policinë për ta ndihmuar. Po policët nuk i besuan që ai ishte i lënduar dhe i morën atij dhe të tjerëve paratë dhe celularët. “Ata na kthyen mua dhe shokët e mi në orën 1 të natës në Bosnje, në një ‘xhungël'”, thotë Kiano. Në kufirin kroato-boshnjak pyjet e dendur janë me kilometra, pjesërisht edhe me mina të rrezikshme nga lufta e Bosnjes. Sipas disa llogaritjeve bëhet fjalë për rreth 200.000 mina të pashpërthyera që ende kanë mbetur nga koha e luftës në vitet 90-të në Bosnje.
Mijëra kthime ilegale në kufirin kroato-boshnjak
Shumë refugjatë në kampin Lipa rrëfejnë për dëbime pjesërisht të dhunshme të policisë kroate. Organizatat për të drejtat e njeriut bëjnë fjalë për rreth 16.000 kthime ilegale në kufirin kroato-boshnjak në vitin 2020. Në vitin 2021 një ekip gazetarësh investigativë ndër të tjera edhe nga ARD dokumentoi me regjistrime filmike sulmet e dhunshme të policisë kroate dhe lëndimet e refugjatëve, por me sa duket situata nuk ka ndryshuar. Kamran, një refugjat nga Pakistani rrëfen për dëbimet ilegale që vazhdojnë ende. “Jam përpjekur 10-12 herë të hyj në BE”, thotë ai. Por policia e ka kthyer me dhunë në Bosnje. Një dorë dhe një këmbë refugjati e ka të lidhur me fasho. Kamran nuk e di moshën e saktë. “Para pesë vjetësh u largova nga Pakistani, thotë ai dhe që atëherë nuk i kam parë më nënën dhe vëllanë. “Më merr malli shumë për nënën.”
Kampi Lipa: Stacion i ndërmjetëm me destinacion BE
Të gjithë ata që jetojnë në kampin Lipa duan të vijnë në BE. Kampi i refugjatëve është vetëm një stacion i përkohshëm. Sipas të të dhënave zyrtare në këtë kamp jetojnë 1500 refugjatë, në rast nevoje edhe 3000 vetë mund të gjejnë strehë aty. Shumica e refugjatëve vijnë nga Afganistani, Pakistani, edhe nga Kuba. Aty ka rrymë elektrike, lidhje interneti, ujë të rrjedhshëm dhe banjo. Në tabela shkruhet që refugjatët duhet të kenë kujdes për higjienën për shkak të përhapjes së virusit Corona. Refugjatët nuk ankohen për kampin. “Punonjësit bëjnë të pamundurën këtu për ne”, thotë Kiano.
Në kamp ka një palestër sporti, mund të luajmë me letra, të mësojmë anglisht, italisht, gjuhën boshnjake. Vetëm për të punuar ata nuk lejohen. Por përpjekjet për arrati nga kampi kushtojnë. Nganjëherë duhen paguar taksi, ushqimi për ditët e gjata të marshimit. Disa marrin para nga familjet, të tjerë shkojnë në qytet dhe shesin facoleta, apo objekte që i gjejnë në kosha plehrash. Disa kanë hapur edhe dyqane të vogla në kamp për të fituar pak para.
Kthimet ilegale nga kufiri kroat janë të shpeshta – një operacion urgjence- dhuna në kamp pengon shumë refugjatë të qëndrojnë atje
Edhe Kiano përpiqet të fitojë para. Ai ka arritur të shesë këpucët, por kamerunasi do të ketë një punë “të vërtetë”. Kur t’i shërohet këmba, thotë ai, do të përpiqet prapë të kalojë kufirin. “Nuk kam rrugë tjetër”, thotë Kiano, që nuk do të kthehet në Kamerun, ku ka luftë, por edhe arratia është e rrezikshme. Një nga shokët e tij ndërroi jetë gjatë rrugës. Për veten dhe refugjatët e tjerë ai thotë. “Ne jetojmë disi po nga brenda kemi vdekur.”/DW
Top Channel