Dhënia e pritshme e statusit kandidat për Ukrainën në BE ka bërë që kancelari gjerman, Scholz të kërkojë reforma në BE.
Scholz ka kërkuar gjithashtu që blloku të lëvizë në drejtim të hapjes së negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.
Përveç kandidatëve edhe BE vetë duhet të përgatitet për zgjerimin e unionit, tha politikani socialdemokrat në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve, DPA: “Për këtë duhet që BE të modernizojë strukturat dhe proceset vendimmarrëse. Jo gjithmonë do mund të vendosen mbi parimin unanim të gjitha ato vendime që duhen marrë sot unanimisht.”
Scholz tha se do të flasë për këtë në samitin e BE në fund të qershorit.
Ai tha se shpreson që nga samiti i BE të dalë edhe një impuls për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat ai i ka vizituar së fundmi, e që prej dy dekadash presin për anëtarësimin në BE.
“Vendeve të Ballkanit Perëndimor ne duhet t’u tregojmë se e kemi seriozisht. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i plotësojnë të gjitha kriteret për hapjen e negociatave konkrete për anëtarësimin në BE, ato duhet të fillojnë tani.”
Statusi i vendit kandidat mund të jepet vetëm me një votë unanime. Për zbutjen e këtij parimi ka prej kohësh shumë diskutime në BE. Parlamenti Europian kishte kërkuar para një jave reforma të zgjeruara të konventës europaine dhe të hiqet dorë nga parimi i vendimit unanim gati në të gjithë fushat e politikës.
Top Channel