Një superjaht i kapur në Fixhi muajin e kaluar, me kërkesë të autoriteteve amerikane, ka mbërritur në Havai. Uashingtoni thonë se superjahti Amadea, në vlerën e 300 milionë dollarëve është në pronësi të oligarkut rus Suleiman Kerimov ndaj të cilit janë vendosur sanksione.
Grupi i punës i ngritur në Departamentin amerikan të Drejtësisë, i quajtur “KleptoCapture”, është pëqendruar në sekuestrimin e jahteve dhe pronave të tjera luksoze të oligarkëve rusë, në një përpjekje për të ushtruar trysni ndaj Presidentit rus Vladimir Putin lidhur me luftën në Ukrainë.
Jahti, 106 metra i gjatë, u largua nga porti Lautoka i Fixhit javën e kaluar, pasi Gjykata e Lartë e vendit ishull në Paqësor, vendosi që mbajtja e tij do të ishte e kushtueshme për qeverinë.
Sipas të dhënave anija u ankorua në Honolulu të enjten pasdite.
Superjahti u sekuestrua në Fixhi më 13 prill. Ai kishte ardhur aty nga Meksika, pas një udhëtimi 18-ditor. Në një dokument të FBI-së thuhej se jahti kishte çaktivizuar sistemet e saj të automatizuara të informacionit më 24 shkurt, pothuajse menjëherë pasi Rusia nisi sulmin në Ukrainë, si pjesë e një përpjekjeje për të shmangur konfiskimin.
Rusia i quan veprimet e saj në Ukrainë një “operacion special ushtarak”.
Avokatët e pronarit të Amadea-s, “Millemarin Investment Ltd”, një kompani e regjistruar në Ishujt Kajman, i thanë një gjykate të Fixhit se jahti nuk ishte në pronësi të zotit Kerimov, por nga një tjetër oligarku rus, ish-shefit të “Rosneft ROSN.MM” Eduard Khudainatov, ndaj të cilit nuk rëndojnë sanksione,
Por Shtetet e Bashkuara thonë se zoti Kerimov është pronari i vërtetë i Amadeas.
Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj zotit Kerimov në vitin 2014 dhe 2018, si përgjigje ndaj veprimeve të Rusisë në Siri dhe Ukrainë. Ndaj tij ka vendosur sanksione edhe Bashkimi Evropian./VOA
Top Channel