Boris Johnson u rikthye në Kiev për një vizitë surprizë, e cila erdhi një ditë pasi katër lidere europianë vizituan kryeqytetin e Ukrainës së munduar nga konflikti katër mujor.
Johnson, që ishte një herë në Kiev në 9 prill, ofroi një program madhor trajnimi për forcat ukrainase, në bazë të të cilit do të stërviten deri në 10 mijë trupa cdo 120 ditë.
“Siç ti me të drejtë thua, Volodymyr, ne po vazhdojmë të shohim shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve, që është padyshim një krim lufte. Vizita ime këtu, në mesin e luftës ka qëllimin të dërgoj një mesazh të qartë dhe të thjeshtë për popullin e Ukrainës: Mbretëria e Bashkuar është me ju, dhe do të jetë me ju derisa të arrihet fitorja”, tha Johnson.
“Ne jemi këtu për t’iu dhënë qëndrueshmërinë strategjike që ju duhet” , shtoi ai. Kievi ka kërkuar nga Perëndimi më shumë artileri të rëndë, duke përfshirë raketahedhëset ndërsa thotë se Rusia ka shumë më shumë pajisje ushtarake. Ekspertët pretendojnë se pikërisht për shkak të armatimeve të mëdha ruse, Ukraina është duke humbur gradualisht territor në rajonin lindor të Donbasit, edhe pse forcat e saj vazhdojnë të bëjnë rezistencë të ashpër.
Johnson u shpreh se forcat e Moskës janë duke u përballur me numër të madh viktimash. Përpara tij, presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministri italian, Mario Draghi, dhe presidenti rumun, Klaus Iohannis, shtrënguan duart me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Kiev. Pas kësaj, Komisioni Europian rekomandoi dhënien e statusit të vendit kandidat për Ukrainën, duke argumentuar se vendi ka treguar përkushtim për të respektuar vlerat dhe standardet europiane.
Top Channel