Austria çdo ditë e më shumë shfaqet si avokate zëshme e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Teksa konfirmoi së fundi mbështetjen e tij për statusin e vendit kandidat për Ukrainën, sic u rekomandua nga Komisioni Europian, kancelari austriak, Karl Nehammer i mëshoi idesë që ky vend të mos të trajtohet ndryshe nga shtetet e Ballkanit Perëndimor sa i përket kushteve për nisjen e bisedimeve.
Në një intervistë për gazetën gjermane “Die Welt”, Nehammer theksoi se kushtet që kërkohen nga shtetet e rajonit, të cilat e kërkojnë prej kohësh afrimin me bllokun, duhet të vlejnë edhe për Kievin.
“Sa i takon statusit të vendit kandidat në BE, dua të nënvizoj se ka kritere të qarta, të vendosura tashmë të cilat duhen të përmbushen pa ‘nëse’ dhe pa ‘por’. Nuk duhet të ketë standarte të dyfishta apo aplikantë të dorës së parë e të dorës së dytë. Duhet të sigurohemi që BE të aplikojë të njëjtat standarte për Ukrainën, ashtu si për vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer.
Në këtë aspekt, do të ishte e paimagjinueshme për mua, theksoi Nehammer, që t’i japim Ukrainës statusin kandidat dhe të lëmë për shembull mënjanë Bosnje-Hercegovinën.
Nehammer shtoi se nuk i duhen dhënë shpresa të rreme Kievit, ndërsa kujtoi edhe një herë se procesi i zgjerimit të bllokut është i gjatë dhe shumë kompleks.
Teksa Shqipëria e ka marrë prej vitesh këtë status, çelja e negociatave për anëtarësim po zvarritet, e pas pengesave që nxori Holanda e Franca, bllokimi së fundi ka ardhur prej vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, që po mban peng edhe Shqipërinë pasi disa shtete preferojnë t`i shohë Tiranën dhe Shkupin të avancojnë së bashku drejt BE-së.
Top Channel