Biden po shqyrton vendimin për tarifat ndaj mallrave kineze

18/06/2022 20:11

Presidenti Joe Biden tha të shtunën se ka në plan të bisedojë së shpejti me udhëheqësin kinez Xi Jinping ndërsa po shqyrton mundësinë e heqjes së disa tarifave të vendosura ndaj mallrave kineze gjatë administratës së zotit Trump.

Presidenti Biden nuk dha detaje mbi kohën se kur do të zhvillohej biseda, por tha se po i afrohej një vendimi lidhur me fatin e tarifave ekonomike.

Ndodhem në pikën që duhet të vendos se çfarë do të bëj“, u tha zoti Biden gazetarëve në një shkëmbim të shkurtër pas një xhiroje me biçikletë pranë shtëpisë së tij në plazh, në Dellauer.

Ndihmësit që trajtojnë çështje të sigurisë kombëtare dhe ekonomike janë drejt përfundimit të një procesi rishikimi të politikave tarifore të SHBA-ve dhe dhënies së rekomandimeve për presidentin.

Sipas tarifave të vendosura nën Presidentin Donald Trump ndaj produkteve kineze në vlerën e miliarda dollarëve u vendos një tarifë prej 25%. Tarifat kishin për qëllim të reduktonin deficitin tregtar të SHBA-ve dhe të detyronin Kinën të adoptonte praktika më të drejta.

Sekretarja e Thesarit Janet Yellen bëri thirrje së fundmi për eliminimin e disa prej këtyre tarifave për të luftuar inflacionin në Shtetet e Bashkuara. Të tjerë zyrtarë të administratës Biden, mes tyre edhe përfaqësuesja amerikane për Tregtinë Katherine Tai, kanë ngritur shqetësime rreth lehtësimit të këtyre tarifave, në një kohë kur Kina, nuk i është përmbajtur marrëveshjeve të saj për blerjen e produkteve amerikane.

Ajo tha se i shihte tarifat si “një mjet” në atë që e quajti “kutia e mjeteve të politikës ekonomike” që mund të konsiderohej, por së bashku me “shumë mjete të tjera në dispozicionin tonë”, sikurse u shpreh ajo.

Për ne ka rëndësi të madhe që asgjë që ne ndërmarrim në planin afat të shkurtër të mos minojë qëllim e madhtonin”, tha zonja Tai për agjencinë “Associated Press” gjatë një interviste dhënë muajin e kaluar./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA