Ndryshimi i rregullave të lojës për zgjedhjet nisi me skepticizëm.
Formula e komisionit për reformën zgjedhore parashikon numër të barabartë anëtaresh, drejtim me dy bashkëkryetar dhe vendimmarrje te kushtëzuar nga e drejta e vetos, e drejtë e cila duket se shihet me dyshim nga grupimi i Berishës dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.
Vasili: Të shpresojmë të mos jete tualeti as teatri i radhës politik.
Bylykbashi: Në çdo rast kjo reformë zgjedhore nuk mund të jetë një pazar, as i paravendosur as i vendosur përgjatë punës së këtij Komisioni.
Kjo shpjegon përse Oerd Bylykbashi, mbështetës i Sali Berishës ndryshoi mendje dhe mori pjesë në Komision. Por, prania apo jo e Oerd Bylykbashit nuk mund ta prishë dot mirëkuptimin që shfaqen socialistët me Enkelejd Alibeaj.
Gjiknuri: Jemi të detyruar të respektojmë njeri-tjetrin dhe të gjejmë marrëveshje nëse duam zgjidhje. Prandaj është në të mirën tonë të gjejmë mirëkuptim. Nuk dikton dot njeri as me vota as imponohet dot. Le ta mbajmë këtë frymë të mire.
Alibeaj: Kjo është faza a parë, me rëndësi që zbatimi i saj të jetë i tillë si në të njëjtën linjë do jetë dhe kuadri ligjor, zbatimi është sfida më e madhe.
Megjithëse nuk ka të drejtë vetoje, kjo nuk pengoi Fatmir Mediun të ishte i ashpër ne pretendimin e tij, se tashmë sistemi i votimit, duhet të ndryshojë.
Mediu: Sistemi aktual është një vrastar i pluralizmit politik. Ndaj mendoj se sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura i jep mundësinë çdo subjekti të konkurrojë bazuar në atë që ka dhe as në marrëveshje dhe asnjë shpërfillje të interesave politike të grupeve të caktuara.
Të gjitha palët ranë dakort, për të kërkuar asistencë nga ndërkombëtaret duke nisur me OSBE-OHDIR, SHBA dhe Këshilli i Europës. Ndryshimet në Kodin Elektoral kërkojnë minimalisht 84 vota dhe ne tryeze janë hapur të gjitha kartat, deri edhe ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Top Channel