Dënohet kirurgu për transplantet fatale që i kushtuan jetën tre pacientëve në Suedi (fotot)

17/06/2022 16:39

Një gjykatë në Suedi i ka dhënë dënim të pezulluar me burg një kirurgu italian për lëndime të rënda trupore gjatë një tipi transplanti eksperimental me qeliza embrionale.

Paolo Macchiarini, që më parë konsiderohej si ‘pionier’ i kirurgjisë së transplanteve, i shpëtoi dy akuzave të tjera kriminale.

Tre pacientë të trajtuar prej tij në Suedi kanë gjetur vdekjen.

Prokurorët kishin kërkuar që Macchiarini të kryejë pesë vjet burg por gjykata arriti në konkluzionin se ai nuk kishte pasur si qëllim të lëndonte pacientët.

Doktori i ka mohuar vazhdimisht akuzat.

Macchiarini ishte vlerësuar ndërkombëtarisht në 2011 kur kreu transplantin e parë sintetik të organeve në spitalin suedez Universitar të Karolinska.

Puna e tij me qelizat embrionale në traketë plastike ndihmonte shumë njerëz që nuk duhej të prisnin më për donatorë.

Vetëm një vit më herët ai ishte punësuar nga Italia, edhe pse nuk kishte referenca pozitive nga punëdhënësit e tij të mëparshëm.

Andemariam Beyene, student i sapodiplomuar nga Eritrea që bëri transplantin e parë në 2011, vdiq dy vjet më vonë pas një serie infeksionesh. Trakea e tij sintetike kishte dalë jashtë vendit. Pak para operacionit ai kishte thënë për rrjetin BBC: “Isha shumë i frikësuar për operacionin, por ishte për jetë a vdekje”.

Dy pacientë të tjerë kishin marrë transplantin e Maçhiarini në spitalin e Karolinska dhe rrjedhimisht humbën jetën.

Christopher Lyles nga SHBA që kreu transplantin e trakesë plastike në vitin 2011 vdiq disa muaj pas operacionit. Yesim Cetir, pak më shumë se 20 vjeç, u operua në 2011 dhe vdiq në vitin 2017. Edhe të tjerë pacientë të trajtuar jashtë shtetit, duke përfshirë nënën ruse Julia Tuulik, humbën jetën.

Macchiarini u pezullua më pas nga spitali prestigjoz Karolinska. Një dokumentar i mëvonshëm televiziv zbuloi praktika alarmuese të përdorura prej tij gjatë procedurave dhe rrjedhimisht prokuroria hapi një hetim.

Prokuroria e Solna pranë Stockholm, ngriti akuza sulmi të rëndë dhe lëndime trupore, por nuk u akuzua për vrasje të pacientëve.

Gjykatësi Bjoern Skaensberg tha se gjykata kishte rënë dakord me prokurorët se kirurgjia ishte kryer pa eksperiencën dhe shkencën e nevojshme.

Macchiarini mophon se ka shkelur procedurat duke argumentuar se me transplantet po përpiqej të shpëtonte jetën e pacientëve.

Dënimi i tij do të thotë se pas dy vitesh do të merret sërish në konsideratë për rimarrjen e licencës.

FOTO GALERI
1/3
Andemariam Beyene mori transplantin por vdiq pas dy vjetesh

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA