Presidenti francez Emmanuel Macron tha gjatë vizitës së tij të përbashkët me Kancelarin gjerman Olaf Scholz, Kryeministrin italian Mario Draghi dhe Presidentin rumun Klaus Iohannis në Kiev, se Ukraina mund të mbështetet tek aleatët e saj.
Udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, të cilët janë kritikuar nga Kievi se nuk kanë bërë sa duhet për ta ndihmuar Ukrainën në luftën kundër Rusisë, dhanë shpresa për anëtarësim në Bashkimin Evropian të Ukrainës, vendit që po kërkon më shumë armë për të penguar përparimin e forcave ruse.
“Ne të gjithë jemi në favor që Ukrainës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha zoti Macron.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha sot se sulmi i Rusisë është agresion kundër gjithë Evropës dhe se sa më shumë armë që merr Ukraina nga Perëndimi, aq më shpejt do të jetë në gjendje të çlirojë tokën e pushtuar nga Rusia.
Zoti Zelenskyy tha se me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Rumanisë diskutoi rreth mundësive për sanksione të mëtejshme kundër Rusisë dhe rindërtimit të vendit pasi lufta të përfundojë.
Ukraina, tha zoti Zelensky, është mirënjohëse për dërgesat e armëve dhe pret që të furnizohet me artileri moderne, raketa dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.
“Çdo ditë vonese apo shtyrje e vendimeve është një mundësi më shumë për ushtrinë ruse që të vrasë ukrainasit ose të shkatërrojë qytetet tona”, tha ai.
“Sa më shumë dërgesa të armëve të fuqishme, aq më shpejt mund të çlirojmë njerëzit dhe tokën tonë”, tha zoti Zelensky ndërsa shtoi se, “agresioni rus kundër Ukrainës është agresion kundër gjithë Evropës, kundër secilit prej nesh, kundër vlerave tona”.
Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se mesazhi i qartë i udhëheqësve të Bashkimit Evropian është se “Ukraina i përket familjes evropiane”.
“Gjermania është në mbështetje të një vendimi pozitiv për Ukrainën”, tha ai.
Dega ekzekutive e BE-së pritet të rekomandojë të premten që Ukrainës t’i jepet statusi i vendit kandidat. Ky veprim do të ishte një gjest politik i rëndësishëm për Ukrainën, ndërsa po lufton kundër Rusisë, por udhëheqësit e BE-së nuk janë të gjithë të një mendimi.
Më parë, Kievi ka akuzuar Francën, Gjermaninë dhe në masë më të vogël Italinë, për zvarritje të mbështetjes së tyre për Ukrainën, duke thënë se këto vende u treguan të ngadalta në dërgimin e armëve dhe se vendosën interesat e tyre para lirisë dhe sigurisë në Ukrainë.
Para takimit me Presidentin Zelenskyy, udhëheqësit evropianë qëndruan në qytetin e Irpinit të shkatërruar nga luftimet.
Qyteti pranë Kievit, që para luftës kishte një popullsi prej rreth 62 mijë banorësh, u përball me sulme të ashpra, deri në momentin e tërheqjes së trupave ruse nga rajonet veriore të Ukrainës dhe intensifikimit të ofensivës së Moskës në lindje të vendit.
Presidenti Macron tha se në Irpin janë kryer krime lufte, ndërsa vlerësoi rezistencën e ukrainasve për të mos lejuar pushtimin e Kievit.
“Është një qytet heroik, sepse këtu së bashku me të tjerët, ukrainasit ndaluan ushtrinë ruse, që ishte nisur drejt Kievit. Heroizmi i ushtrisë dhe popullit ukrainas duhet përshëndetur”, tha zoti Macron.
Ngjashëm me qytetin Buça, Irpini është kthyer në një simbol të shkatërriemeve të tmerrshme dhe të pakumptimta, tha Kancelari gjerman Olaf Scholz.
“Civilë të pafajshëm janë vrarë në mënyrë të qëllimshme. Shtëpitë janë shkatërruar. Është shkatërruar një qytet i tërë, ku nuk ka pasur fare infrastrukturë ushtarake. Ky është një tregues i mjaftueshëm për agresionin e luftës ruse, që synon të shkatërrojë dhe pushtojë. Është një luftë e tmerrshme. Rusia synon të realizojë synimet përmes brutalitetit, pa marrë në konsideratë jetët e njerëzve, Kjo duhet të përfundojë”, tha Kancelari Scholz.
Kievi thotë se Rusia ka kryer krime të rënda dhe në shkallë të gjerë në Irpin, akuza që Moska i mohon./ VOA
Top Channel