Vështirësitë e të mbijetuarve nga lufta në Ukrainë sapo kanë filluar

16/06/2022 16:11

Kur Rusia filloi sulmin në Ukrainë, objektivi i saj fillestar ishte marrja e kryeqytetit Kiev.

Në ditët e para të ofensivës, forcat ruse pushtuan rrethinat e kryeqytetit, zona të ndërtuara rishtazi dhe të banuara nga familje të reja dhe të suksesshme. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anna Chernikova, një ndër komunitetet që u shkatërrua më shumë është Irpini, i cili gjendet rreth 20 kilometra nga kryeqyteti.

Për banorët e Irpinit, si gjetiu në Ukrainë, u bë e qartë se jeta nuk do të ishte më e njëjta pas 24 shkurtit.

Kur forcat ruse hynë në territorin ukrainas, shumë banorë bënë qëndresë. Pushtuesit u tërhoqën vetëm pas një beteje të zgjatur dhe të përgjakshme.

Por disa banorë, si Olga Ovcharenko dhe familja e saj zgjodhën të largohen nga zona e luftimeve.

Ndërsa forcat ruse gjendeshin vetëm një kilometër larg dhe raketat binin disa metra pranë shtëpisë së tyre, zonja Ovcharenko, bashkëshorti i saj dhe vajza bënë gati valixhet dhe u larguan së bashku me kafshët e tyre shtëpiake.

Ndërsa largoheshin në autostradë drejt perëndimit, zonja Ovcharenko thotë se rusët vazhdonin të sulmonin dhe ajo mendonte vetëm se si të shpëtonin vajzën.

“I thamë vajzës se nëse ndodh diçka, vetëm dil nga makina, largohu. Mos e kthe kokën nga unë dhe babi. Ne jemi të rritur, ja dalim mbanë. Mos e ki mendjen as tek kafshët; kujdesemi ne për to. Ti vetëm dil nga makina, shiko për njerëz me uniforma ukrainase, ose njerëz me fëmijë, që mund të të ndihmojnë”, tregon zonja Ovcharenko.

Ditën që u larguan ishin të sigurtë se nuk do të ktheheshin më.

“Menduam se nuk do të mbetej gjë që të ktheheshim”, thotë ajo.

Iu desh të bindnin nënën e Olgës, Maria Bovenkon, që të largohej.

“Nuk e kisha menduar kurrë që njerëzit mund të bëheshin kaq çnjerëzorë. Mendoja se nuk do të vazhdonte, se do të largoheshin”, thotë zonja Bovenko.

Me kalimin e kohës vendosën ta ndalin arratinë. U rikthyen dhe e gjetën shtëpinë të shkatërruar. Sulmit rus nuk i kishte shpëtuar asgjë. Qyteti fqinj Bucha u bë skenë masakrash, me mizoritë më të rënda deri më tani të këtij konflikti.

“Kjo është godina më e dëmtuar në lagje, pasi është më e larta dhe mund të shihet Bucha që këtu. Meqë rusët vinin nga Bucha, këtu ishte një vend vrojtimi i forcave ukrainase. Numërova të paktën 23 goditje artilerie në anën e përparme”, thotë Slava Ovcharenko, bashkëshorti i Olgas.

Muaj më vonë, godinat janë ende të shkatërruara. Por, tragjedia më e madhe në Irpin janë jetët e rrënuara dhe ato të humbura.

“Ka varre masive këtu në shesh. Nëntëmbëdhjetë janë varrosur këtu. Ishin fqinjët tanë”, thotë zoti Ovcharenko.

Njerëzit nuk dinë se kur mund të rikthehet paqja. Ajo që është e sigurtë, është se jeta nuk do të jetë më e njëjta. Por, për njerëzit si Olga Ovcharenko, që vendosi të rikthehet, fakti që mbijetuan, u jep shpresë se një ditë mund të rindërtojnë shtëpinë dhe jetën e tyre./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA