Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit për çështjet e Lindjes së Mesme, Barbara Leaf, u kërkoi zyrtarëve izraelitë të ndërpresin operacionet ushtarake kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë prishjen e shtëpive dhe dëbimet
Administrata amerikane ka kërkuar nga Izraeli të shmangë përshkallëzimin e dhunës ose masat e njëanshme kundër palestinezëve përpara vizitës në rajon muajin e ardhshëm nga presidenti i SHBA, Joe Biden, shkruan agjencia turke Anadolu.
E përditshmja hebreje ‘Haaretz’ tha se ndihmës sekretarja amerikane e shtetit për çështjet e Lindjes së Afërt, Barbara Leaf, u kërkoi zyrtarëve izraelitë të ndërpresin operacionet ushtarake kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë prishjen e shtëpive dhe dëbimet.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se Biden është planifikuar të vizitojë Izraelin dhe Bregun Perëndimor më 13 korrik.
Vizita vjen mes tensioneve në rritje në Bregun Perëndimor lidhur me fushatat e përsëritura të arrestimit nga Izraeli në territorin e pushtuar dhe inkursionet e përditshme të kolonëve në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Jeruzalemin Lindor.
Që nga fillimi i këtij viti, sipas shifrave palestineze, mbi 65 palestinezë janë vrarë nga zjarri i ushtrisë izraelite në bastisjet dhe përleshjet në Bregun Perëndimor.
Top Channel