Arkeologët pranë Bordosë në Francë, po përpiqen të zbardhin misterin e mbetjeve tejet të rralla të një anijeje mesjetare, të varrosur prej 1300 vitesh në krahun e vjetër të lumit Garonne.
Ata e kanë përshkruar gjetjen si “të jashtëzakonshme”.
“Këtë lloj zbulimi do ta konsideroja fat të madh, sepse është shumë e rrallë një gjetje e tillë. Varkat në lumenj gjende zakonisht me kërkime nënujore. Vetëm në vendet nordike mund të jenë bërë gjetje të kësaj natyre, për ne, është disi unike”, tha arkeologu, Laurent Grimbert.
Pjesët e para të anijes dolën në dritë rastësisht në 2015 gjatë gërmimeve të lidhura me një projekt të madh pronash të paluajtshme në afërsi të Garonne.
Sipas Grimbert, kjo anije është “e dyta ose e treta” e zbuluar në Francë, që daton nga periudha e Mesjetës.
Duke ekzaminuar pjesët e drurit dhe qeramikat e gjetura në strukturën e saj, mendohet se mjeti 12 metra i gjatë, mund të jetë përdorur për të transportuar mallra, ndoshta bujqësore nëpër lumë e deri në brigjet e Atlantikut.
Asokohe, Bordoja kishte qenë nën kontrollin e Merovingëve, e më vonë ishte rrethuar nga vikingët, por origjina e anijes, gërmimet e së cilës nisën në vitin 2019, mbetet një mister.
Deri në fillim të shtatorit, një ekip prej 10 arkeologësh do të përpiqet të çmontojnë trarët tërthorë të saj me qëllimin të përcaktojnë traditën arkitekturore të varkës, lartësinë reale, kapacitetin e tonazhit, apo edhe teknikat e përdorura në atë kohë për ta bërë të papërshkueshme nga uji.
Top Channel