Dy persona janë arrestuar, pas sekuestrimit të 45.5 kilogramëve kokainë në portin e Durrësit gjatë mbrëmjes së djeshme.
Ata janë administratori i kompanisë së Maqedonisë së Veriut, Arben Ferizi që porositi mishin dhe Egert Vargu, me detyrë agjent doganor në Portin e Durrësit.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ngarkesa me mish pule nga Brazili kishte ardhur për llogari të një kompanie me aktivitet në industrinë e përpunimit të mishit ku Ferizi është administrator.
Ndërsa Egert Vargu është drejtues i agjencisë doganore që ka kryer procedurat e zhdoganimit të ngarkesës.
Vargu ka qenë në pozicionin e këshilltarit në bashkinë e Tiranës, por endenjuk dihet nëse është në këtë pozicion aktualisht.
Sasia e drogës e llojit kokainë u gjet në brendësi të një kontenieri me mish pule. Droga është gjetur në kontenierin që ishte nisur tranzit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut.
Nuk dihet nëse sasia e kokainës është vendosur që në vendin e origjinës apo më vonë mes mishit.
Policia njofton se janë gjithsej 40 pako me peshë 45 kg e 500 gramë, të mbështjella me personazhin e famshëm të filmit vizatimor, “Dragon Ball”, Gokut.
Porti i Durrësit gjatë muajve të fundit është bërë destinacioni i sasive të drogës, që vjen nga kryesisht nga Amerika Qendrore dhe ajo Latine, qoftë me kontenier ashtu edhe me anije.
Lënda është gjetur kryesisht mes bananeve, por dhe mallrave të tjerë. Në maj, policia gjeti 59 kg kokainë në anijen “Unistream” nga Kolumbia, të ngarkuar me qymyr. Për këtë arsye, këto dërgesa quhen me risk të lartë nga ana e policisë prandaj kalojnë në një filtër më të detajuar qoftë nga autoritetet e portit ashtu edhe nga policia kufitare dhe ajo kriminale.
Nisur nga fakti që në portin e Durrësit se paku dy vitet e fundit janë zbuluar vazhdimisht dërgesa me kokainë, autoritetet janë të bindura se porti më i madh në Shqipëri është kthyer në një rrugë kalimi që përdoret nga narkotrafikantët.
Top Channel