Presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk lëshon pe lidhur me njohjen reciproke të Serbisë dhe Kosovës, duke thënë se ajo është dëshirë e Bashkimit Europian, por jo e Serbisë.
Deklarata e tij erdhi si reagim ndaj raportit të Parlamentit Evropian për Serbinë, ku për herë të parë shkruhet shprehimisht pritshmëria e BE-së për “njohje reciproke” mes Serbisë dhe Kosovës.
“Njohja reciproke është dëshira e tyre, është mirë që ata e duan, por ne nuk e duam. Dhe siç thashë – të gjithë kanë punën e tyre, ata kanë të tyren, ne kemi tonën”, tha Vuçiç.
Vuçiç theksoi se nuk e kundërshton rëndësinë e dokumentit të miratuar nga Parlamenti Europian, por shprehu besimin se “përbërja e re e parlamentit dhe qeveria e re në Serbi do të konfirmojnë gjithçka që ai ka deklaruar sot”.
Kreu i shtetit serb theksoi po ashtu se korniza e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të fokusohet mbi “normalizimin e marrëdhënieve” mes dy vendeve, dhe jo tek njohja.
Komisioni i Parlamentit Europian për Politikën e Jashtme miratoi të martën raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën.
Për herë të parë, Parlamenti Europian e artikuloi hapur se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të “bazohet në njohjen reciproke”.
Top Channel