Polica po kalon një sfidë torturuese në zbardhjen e atentateve mafioze apo vrasjeve të mirëmenduara. Pavarësisht pistave hetimore që ngrihen fill pas ngjarjeve vrasjet mbeten pa autor.
Më së shumti zbardhen vrasjet në familje apo ato për motive të dobëta.
Vetëm gjatë këtij viti në Tiranë kanë ndodhur 4 vrasje dhe prej tyre është zbardhur vetëm një që ndodhi për motive të dobëta në një lokal. Atentati më i fundit është ai i 11 qershorit ndaj Aleksandër Sadikajt, i cili humbi jetën pasi makina e tij u shpërthye në lëvizje me eksploziv. Pista kryesore e hetimit është vrasja për konfliktet e drogës por policia nuk ka një emër për ekzekutorin.
Në 3 prill në autostradën Tiranë Durrës u ekzekutua me breshëri Iliaz Cali. Polica dyshoi se vrasja ndodhi për shkak të konflikteve të kromit ndërsa pista tjetër e hetimit ishte përplasja mes dy grupeve kriminale por nuk mundi të shkojë tek emri i ekzekutorëve. Në kufi të një ngjarjeje terroriste ishte dhe vrasja e Erjon Çelës më 4 janar të këtij viti. Kur atentatorët qëlluan me breshëri drejt lokalit në Don Bosko ku ishte uliur viktima. Në ngjarje mbetën të plagosur edhe 4 persona të tjerë mes tyre një 19 vjeçar, i cili ishte rastësisht në vendngjarje. Pas ngjarjes autorët u zhdukën pa gjurmë duke mos lënë pas as gëzhoja.
Po ashtu të pazbardhura janë dhe vrasjet e ndodhura në fund të vitit 2021, të dy të rinjve Erigers Mihasi e Armand Dumani të ndodhura më 13 nëntor në zonën e Astirit. Të rinjtë u qëlluan me breshëri teksa ishin duke udhëtuar me makinë në një aks plot lëvizje. Moszbardhja e kësaj ngjarjeje pasoi me një vrasje tjetër disa javë më vonë më 23 dhjetor të Çan Karriçit në Kodër-Kamzë. Të riut iu bë atentat teksa ishte duke lëvizur me mjet në lagje ku sapo ishte ngritur nga një kafene. Hetuesit dyshojnë se Karriçi me 2 të rinjtë e vrarë në Astir ishin pjesë e të njëjtit grup kriminal por megjithëse kanë kaluar 6 muaj emrat e autorëve mbeten enigmë.
Jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera është e njëjta situatë. Në Vlorë përmendim të pazbardhur vrasjen e Delon Troqes, Bledar Birçajt e Gentian Qarrit. Në Shkodër përmendim vrasjen e Neim Bajrit, Nazmi Bandullës e Bardhok Pllanajt, Në Laç vrasjen e Rakip rolit e Xhelal Reçit, në Fier vrasjen e Demir Baçkas në Lushnjë të Bledar Muça në Sarandë të Gramoz Memajt dhe në Elbasan vrasjen e Everest Çakës e Lulzim Bitrit e Ardian Çollakut.
Filli i këputur i hetimeve nga ana e policisë dhe prokurorisë në hetimin e disa ngjarjeve kriminale ka sjellë jo rrallë herë një zinxhir vrasjesh që me gjasë do të vijojnë.
Top Channel