Autoritetet në Ukrainë thanë sot se kanë marrë nga Rusia trupat e 64 ushtarëve të vrarë duke mbrojtur tunelet nëntokësore të impjanit Azovstal në Mariupol, në këmbimin e fundit të trupave të ushtarëve me Moskën.
Ndërkohë pamje të shkatërrimit masiv të impjantit janë postuar në rrjet teksa Ukraina tha se këmbimi i trupave u zhvillua në rajonin Zaporizhia, pa cilësuar se sa trupa ushtarësh iu kthyen Rusisë.
Në fillim të muajit, Moska e Kievi këmbyen 160 trupa ushtarësh secila.
Pamjet ajrore tregonin sot impjantin famëkeq që u rrethua nga forcat ruse pas bllokimit të tuneleve të tij të gjera nëntokësore nga ushtarë e civilë të Ukrainës.
Imazhet e strukturave të dëmtuara dhe ndërtesat e shembura u publikuan nga mediat ruse, shkruan britanikja Daily Mail.
Në imazhe shihen tela rrobash të improvizuar, memoriale për të vdekurit dhe “krevate” të krijuar me paleta druri ku jetonin të bllokuarit në metalurgjikun në lindje të Ukrainës.
Në imazhe shihet dhomat e pista në tunelet e impjantit ku jetonin ushtarët e Ukrainës dhe bashkëpunëtorët e tyre, shumica e të cilëve kanë vdekur.
Të paktën 2000 prej tyre janë tashmë në Rusi duke u marrë në pyetje nga forcat e Putin.
Kompleksi masiv në qytetin port të detit Azov në zemër të rajonit të Donbas ka qenë një nga epiqendrat e luftimeve të konfliktit.
Në rrethimin e Mariupol, llogaritet se janë vrarë 6,000 ukrainas e 4,000 rusë, nisur prej fillimit të pushtimit të vendit në fund të shkurtit, shkruan Daily Mail.
Lufta aty mori fund më 20 maj, dy muaj e tre javë më vonë.
Ushtria ruse mori më në fund kontrollin e metalurgjikut ku në mënyrë të mistershme mijëra ushtarë e civilë jetonin në tunelet e nëndheshme.
Sipas komandantit të gardës ukrainase Azov, qindra trupa janë ende në brendësi të impjantit.
Komandanti Maksym Zhorin tha dje se sipas kushteve të këmbimit të fundit të trupave, “rreth 220 ukrainas të vrarë në Azovstal ishin dërguar në Kiev, por shumë mbeten ende brenda tuneleve të Mariupol’.
Zhorin tha se një e treta e të vdekurve ishin anëtarë të batalionit nacionalist Azov ndërsa të tjerë ishin patrullues detarë, ushtarake te tjere, policë e roje kufitare.
“Gjendja e keqe e trupave kërkon kohë për identifikimin e tyre”, shtoi Zhorin.
Top Channel