Forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe veçanërisht në kuadër të bashkëpunimit ekonomik ishte fokusi i takimit të zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj me ministrin e jashtë polak Zbigniew Rau, që ka nisur turin e tij të vizitave në rajon me Shqipërinë.

Turizmi mbetet sektori kyç, por palët shprehën angazhimin për bashkëpunim edhe në sektorë të tjerë prioritarë të ekonomisë në vijim.

“Në diskutuam sot edhe për  mënyrat se si të forcojmë dhe zgjerojmë tregtinë tonë dhe bashkëpunimin tonë dypalësh”, shprehet Zbgniew Rau, ministri i jashtëm polak.

Në kuadër të bashkëpunimit tonë ekonomik, turizmi është një ndër fushat kyçe. Kemi arritur të vendosim fluturimet direkte dhe kjo po kontribuon ndjeshëm në rritjen e numrit të turistëve. Diskutuam gjithashtu sot rrugët për rritjen e kompanive polake në sektorë si infrastruktura, energjia apo sektorë të tjerë me interes edhe për pjesën e sipërmarrjes polake“, tha zv.kryeministri Arben Ahmetaj.

Ministri polak tha se Polonia mbështet Shqipërinë për anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian dhe theksoi domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave.

Ne bashkëpunojmë ngushtë në kuadrin e NATO-s. Polonia gjithashtu mbështet plotësisht aspiratat e Shqipërisë në Bashkimin Europian” tha ministri Rau.

“Gjej rastin të falënderoj Poloninë për mbështetjen e vazhdueshme për perspektivën europiane të Shqipërisë, veçanërisht për marrjen e datës për konferencën e parë ndërqeveritare, një vendim që shpresojmë që vendet anëtare ta marrin sa më shpejt. Shqipëria dhe Maqedonia i kanë plotësuar kushtet dhe shpresat tona mbeten ende për një vendim gjatë presidencës franceze”, shtoi Ahmetaj.

Vitin e kaluar në Shqipëri erdhën rreth 112 mijë turistë nga Polonia, gati 5 herë më shumë se në vitin pandemik 2020, ndërsa pesha e investimeve të huaja polake mbetet e ulët. Sa i takon volumit tregtar, në fund të vitit 2021 import-eksportet mes dy vendeve arritën në mbi 115 milionë euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA