Kuti lapsash, veshje e kapele ishin mes objekteve të sekuestruara në dyqanet e fëmijëve në Arabinë Saudite, me simbole ylberësh dhe simbolika trans apo homoseksuale, për të cilat autoritetet thanë se kundërshtonin fenë islame dhe moralin publik.
Mediat saudite thanë se fushata e kontrollit në dyqane ishte pjesë e ndalimit të homoseksualitetit, i cili është i jashtëligjshëm në vend, shkruan britanikja The Guardian.
Aksioni ndaj dyqaneve në kryeqytetin Riyad u raportua nga stacioni shtetëror Al Ekhbariya.
“Ne po kontrollojmë artikujt që kundërshtojnë fenë islame dhe promovojnë ngjyrat homoseksuale për gjeneratën e re”, tha zyrtari i ministrisë së tregtisë në raportim.
Duke bërë me shenjë nga flamuri i ylberit, gazetari shtonte: “Flamuri homoseksual është prezent në tregjet e Riad, dhe këto ngjyra dërgojnë një mesazh helmues për fëmijët”.
Raportimi nuk detajonte se sa dyqane ishin shënjestruar por ndërgjegjësonte për fenomenin e përhapur gjerësisht në botën perëndimore.
Arabia Saudite ka refuzuar gjithashtu shfaqjen e disa filmave perëndimorë ku përshkruhen apo pasqyrohen minoritetet seksuale apo referencat LGBTQ duke anulluar disa kontrata me Disney.
Lajmi i djeshëm saudit tregonte gjithashtu imazhe nga skenat e ndaluara të filmit “Doctor Strange” ku shiheshin fëmijë që valëvisnin flamurin e ylberit.
Gjithashtu në vend është ndaluar dhe filmi i fundit i animacionit nga Disney, ‘Lightyear’, ku në një skenë ka puthje në buzë mes personave të të njëjtit seks, ashtu siç eshte ndaluar dhe në të paktën 12 vende të tjera të botës.
Arabia Saudite kishte hequr masën e ndalimit të kinemave në fund të vitit 2017, si pjesë e reformës sociale të drejtuar nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman.
Vendi tashmë arkëtoi $238 milionë në shitje biletash në vitin 2021, sipas një raporti të revistës Variety.
Top Channel