Bojkoti i avokatëve ka paralizuar veprimtarinë e gjykatës së shkallës së parë dhe të dytë në Durrës, duke shtyrë për në një kohë tjetër të gjitha çështjet e gjykimit në themel.
Dhoma e Avokatisë Durrës ka reaguar ndaj hartës së re gjyqësore që nuk merr parasysh situatën dhe pasojat e saj te grupet e interesit, duke shkaktuar kosto të larta dhe vonesa të shumta kohore në gjykimin e çështjeve gjyqësore.
Sipas DHAD-së, kjo hartë gjyqësore është thjesht një zgjidhje për mungesën e gjyqtarëve në sistemin e drejtësisë, të shkaktuar nga vettingu, ndërsa ndryshimi i vetëm që ka pësuar harta lidhet me një minoritet.
“KLGJ vendosi të miratojë hartën e re gjyqësore vetëm me një ndryshim që lidhet me gjykatën Sarandë. Asnjë propozim i yni nuk është marrë parasysh dhe në rrjetin tonë ky ndryshim është lidhur si një ndryshim që ka lidhje me komunitetin grek se me atë shqiptar të avokatëve. Apeli i Durrësit duhet të qëndrojë dhe gjykata të jetë aktive”- tha Kryetari i DHAD, Lorval Petani
Qeveria deklaron rritje investimesh, por pakëson shërbimet në Durrës dhe kjo konsiderohet arbitrare nga ana e Dhomës së Avokatisë.
Avokatët deklarojnë se greva do të përshkallëzohet pasi nga harta e re gjyqësore preken në rradhë të parë qytetarët dhe bizneset e shumta, ndërkohë që Durrësi është një rreth me shumë konflikte.
“Kjo grevë do të përshkallëzohet nëse kërkesat tona nuk do të merren parasysh. Gjykata e Apelit mbulon 7 rrethe dhe duhet të funksionojë. Ka një ngarkesë të madhe dhe duhej të ishte e fundit për t’u shkrirë. Do të kthehemi në vitin 1995″ – tha avokatja Shiponja Meta.
244 avokatët, anëtarë të Dhomës së Durrësit i janë bashkuar bojkotit kombëtar të gjyqeve që nga dita e sotme, ndërsa pritet reagimi i qeverisë në lidhje me këtë propozim të KLGJ-së për të vendosur hapat e mëtejshëm të reagimit.
Top Channel