Komisioni i Parlamentit Europian për Punët e Jashtme i Parlamentit Europian, bëri thirrje që marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të “mbështetet në njohjen e ndërsjellë” , hera e parë kjo që një komision i PE-së përmend hapur diçka të tillë.
Apeli vjen vetëm pak ditë pasi të njëjtën gjë kërkoi edhe kancelari gjerman, Olaf Sholz gjatë një vizitë në Prishtinë dhe në Beograd, duke nxitur reagimin e zemëruar të Serbisë e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës.
Madje presidenti serb Aleksandar Vuçiç u shpreh gjatë konferencës për shtyp me të, se për herë të parë ka dëgjuar dikush nga Bashkimi Evropian po kërkon që dialogu i Brukselit të rezultojë me njohje reciproke.
Thirrjet janë pjesë e raporteve të këtij komisioni për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën, që më pas do të debatohen në Parlamentin Evropian.
Komisioni tha se mbështet bisedimet Kosovë-Serbi të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe “rithekson rëndësinë e angazhimit konstruktiv nga ana e autoriteteve të Serbisë dhe Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme të normalizimit, të mbështetur në njohjen e ndërsjellë, që është thelbësore për të dyja vendet”.
Komisioni bëri thirrje që të gjitha marrëveshjet e kaluara të respektohen dhe të zbatohen plotësisht në mirëbesim dhe në kohën e duhur, duke përfshirë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Në raport, i behet gjithashtu thirrje Këshillit të BE-së që të marrë urgjentisht vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Top Channel