Rusia me “shpinë pas muri”, Amnesty: Bomba thërmuese në Kharkiv, krime lufte

13/06/2022 14:13

Pas mizorive në Bucha, të tjera akuza për krime lufte ngrihen ndaj Rusisë, këtë herë për masakra në rajonin e Kharkivit. Amnesty International thotë se sulmet ruse atje, shumë prej tyre me bomba thërrmuese të ndaluara, vranë qindra civilë.

“Bombardimet e përsëritura të lagjeve të banuara në Kharkiv janë sulme pa dallim që vranë dhe plagosën qindra civilë, dhe si të tilla paraqesin krime lufte. Kjo vlen si për sulmet e kryera me municione thërrmuese ashtu edhe për ato të kryera me raketa dhe predha artilerie të pa komanduara”, tha Amnesty Internatinal.

Organizata e njohur në mbrojtjen e të drejtave të njeriut thotë se ka prova të të përdorimit të përsëritur nga forcat ruse të bombave thërrmuese 9N210 dhe 9N235 dhe minave tokësore thërrmuese, të cilat janë të ndaluara sipas konventave ndërkombëtare.

Bombat thërrmuese lëshojnë dhjetëra bomba ose granata në ajër, duke i shpërndarë ato në disa qindra metra katrorë. Ndërsa minat tokësore thërrmuese kombinojnë “përbërësit më të këqij të mundshëm të municioneve thërrmuese dhe minave tokësore kundër këmbësorisë.

Raporti i saj vjen në kohën kur luftimet vazhdojnë të ashpra në Severodonjeck, në të cilin siç thotë presidenti Volodymir Zelensky, forcat ukrainase po luftojnë për çdo metër tokë.

“Mbrojtësit e qytetit po luftojnë për çdo metër të tij. Qëllimi kyç i pushtuesve nuk ka ndryshuar. Ata janë duke rritur presionin në Severodonjeck, atje ka luftime të ashpra”, tha Zelensky.

Forcat e Moskës më herët shkatërruan një urë kyçe në rajon, duke i bllokuar kështu largimin civilëve nga zonat e luftës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA