Këshilltarët e tij të lartë i kishin thënë ish-presidentit Donald Trump se pretendimet për manipulime të gjera në zgjedhje nuk ishin legjitime, sipas dëshmive me video të transmetuara të hënën nga Komisioni që po heton trazirat e 6 janarit 2021.
Komisioni i posaçëm argumentoi se zoti Trump vendosi të mbronte pretendimin se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ishin “vjedhur”, megjithëse shumë nga ndihmësit e tij thanë se demokrati Joe Biden kishte fituar.
“Ai dhe këshilltarët e tij më të afërt e dinin se ato pretendime ishin të rreme, por ata gjithsesi vazhduan të këmbëngulnin tek pretendimet deri në momentet kur turma e përkrahësve të ish-presidentit Trump sulmoi Kapitolin”, tha ligjvënësi demokrat Zoe Lofgren në seancën e dytë për këtë qëllim.
Në një dëshmi të regjistruar në video, ish-Prokurori i Përgjithshëm William Barr i hodhi poshtë qartë pretendimet duke i quajtur “çmenduri”.
“Nëse ai vërtet e beson këtë, atëherë ai është i shkëputur nga realiteti”, tha zoti Barr.
Ish-presidenti Trump ka këmbëngulur vazhdimisht se nuk i kishte humbur zgjedhjet, duke e quajtur hetimin e komisionit një gjueti shtrigash.
Po të hënën ish-menaxheri i fushatës së Donald Trump-it, Bill Stepien, u tërhoq papritur nga seanca dëgjimore pasi bashkëshortja e tij po lindte. Megjithatë komisioni transmetoi pjesë të intervistave me të të bëra më parë.
Zoti Stepien pritej të ishte një dëshmitar i rëndësishëm për komisionin që po heton ngjarjet e 6 janarit.
Komisioni transmetoi videon e dëshmisë së zotit Stepien para hetuesve, si edhe video nga intervistat me ndihmësit e tjerë të ngushtë të zotit Trump – përfshirë vajzën e tij Ivanka – që përshkruanin ngjarjet në ditën e zgjedhjeve kur ish-presidentiTrump iu tha se ishte shumë herët për të shpallur fitoren.
“Po bëhej e qartë se rezultati nuk do të dilte natën e zgjedhjeve,” tha Ivanka Trump.
Zoti Stepien tha se rekomandimi i tij ishte që zoti Trump të thoshte se votat ishin ende duke u numëruar, se ishte shumë herët për të shpallue rezultatin, por se ai ishte krenar për garën që kishte bërë.
Matthew Morgan, avokati kryesor i fushatës së Trump, tha në dëshminë me video se çdo pretendim për mashtrim nuk do të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve.
“Ekipi ligjor i fushatës së zotit Trump e dinte se nuk kishte asnjë argument legjitim për pretendimet për mashtrim, parregullsi apo ndonjë faktor që të përmbyste zgjedhjet,” tha nënkryetarja e komisionit, republikania Liz Cheney.
Në seancën e sotme ka disa dëshmitarë, përfshirë një prokuror i cili dha dorëheqjen papritur ndërsa zoti Trump ushtronte trysni ndaj zyrtarëve shtetërorë të Xhorxhias për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve në atë shtet.
Anëtarët e komisionit thonë se kanë gjetur prova të mjaftueshme për Departamentin e Drejtësisë që të shqyrtojë mundësinë e një padie penale të paprecedentë kundër ish-presidentit.
Kryetari Bennie Thompson, demokrat nga Misisipi dhe nënkryetarja Liz Cheney, republikane e shtetit Uajoming, po drejtojnë seancën. Seanca e parë publike, që u mbajt javën e kaluar, u ndoq në televizion nga rreth 20 milionë amerikanë.
Gjatë vitit të kaluar, komisioni ka hetuar sulmin më të dhunshëm në Kapitol që nga Lufta e vitit 1812, për t’u siguruar që një veprim i tillë të mos përsëritet më kurrë.
Ligjvënësit shpresojnë të vërtetojnë se përpjekja e zotit Trump për të përmbysur fitoren e zgjedhjeve nga zoti Biden përbënte një kërcënim të madh për demokracinë.
Top Channel