Përdorimi i armëve bërthamore është rikthyer në ndërgjegjen publike duke bërë që shumë shtete të rimendojnë strategjitë e tyre, thotë SIPRI.
Në raportin e tij vjetor, Instituti Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes me seli në Stokholm vëren se pavarësisht një rënieje të shënuar të numrit të kokave atomike vitin që shkoi, nëntë shtetet që kanë armë të tilla, përfshirë SHBA-në e Rusinë, ka të ngjarë që ta rrisin dhe modernizojnë arsenalin e tyre dhe të jenë më të zëshme për këtë çështje në dekadën e ardhshme, thuhet në një studim, çka shihet si një “trend mjaft shqetësues”.
“Ne po shohim se lloj sinjalizimi bërthamor që Presidenti Putin ka përdorur gjatë javëve dhe muajve të fundit, e ka rikthyer çështjen e përdorimit të armëve nukleare në vëmendjen e publikut, dhe kjo po bën që shumë shtete të tjera që disponojnë armë të tilla, të mendojnë për strategjitë e tyre atomike duke kërkuar t`i përshtasin ato me realitetin. Në këto kushte, mendoj se do të jetë shumë e vështirë të avancojmë me çarmatimin gjatë viteve të ardhshme për shkak të kësaj lufte dhe për shkak të mënyrës se si Putin po flet për armët e tij bërthamore”, tha Matt Korda, SIPRI.
Sipas këtij organizmi, tashmë është e qartë se reduktimet, që karakterizuan arsenalet globale bërthamore që prej fundit të Luftës së Ftohtë, kanë përfunduar.
“Është e qartë se rreziku i përshkallëzimit bërthamor tani është më i lartë se kurrë më parë në epokën e pas Luftës së Ftohtë. Duhet që vendet të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të marrin në konsideratë se si duhet të duken 10, 20, 30 vitet e ardhshme të kontrollit shumëpalësh të armatimeve”, shtoi më tej Korda.
SIPRI vlerësoi se shtetet bërthamore së bashku kishin një inventar prej 12,705 kokave bërthamore në fillim të vitit 2022 dhe prej këtij numri, 9,440 janë stoqe ushtarake të gatshme për përdorim të mundshëm.
Ky institut po ashtu vlerësoi se 3,732 koka bërthamore ishin vendosur në raketa ose avionë me rreth 2,000 prej tyre në gatishmëri të lartë operacionale dhe pothuajse të gjitha prej tyre i përkisnin Rusisë ose Shteteve të Bashkuara, që kanë gati 90 për qind të të gjitha kokave bërthamore.
Top Channel