Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka publikuar një plan që parashikon heqjen e disa pjesëve të marrëveshjes pas Brex-it që ra dakord me BE-në në vitin 2019.
Ajo dëshiron të ndryshojë Protokollin e Irlandës së Veriut për ta bërë më të lehtë qarkullimin e disa mallrave nga Britania e Madhe në Irlandën e Veriut. Por BE-ja e kundërshton masën, duke thënë se kthimi në marrëveshje shkel ligjin ndërkombëtar. Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Maros Sefcovic, thotë se blloku do të ndërmarrë edhe veprime ligjore nëse është e nevojshme kundër Britanisë.
“Çdo rinegocim thjesht sjell pasiguri të mëtejshme ligjore për njerëzit dhe bizneset në Irlandën e Veriut. Për këto arsye, Bashkimi Evropian nuk do të rinegociojë protokollin.Komisioni konsideron gjithashtu nisjen e procedurave të reja të shkeljes që mbrojnë tregun e përbashkët të BE-së nga rreziqet”.
Megjithëse qeveria e Mbretërisë së Bashkuar pranoi se projektligji i ri i protokollit do të nënkuptojë se ajo nuk do i përmbushte detyrimet e saj sipas ligjit ndërkombëtar, Johnson këmbënguli se ndryshimet në legjislacion ishin thjesht masa “relativisht të parëndësishme” të krijuara për të lehtësuar tregtinë midis Irlandës së Veriut dhe pjesës tjetër të Mbretërisë së Bashkuar. Sipas legjislacionit të ri, qeveria do të heqë kontrollet për firmat që shesin mallra nga Britania të destinuara për Irlandën e Veriut dhe jo për BE. Në vend të kësaj, qeveria parashikon krijimin e një “korsie të gjelbër” me më pak kontrolle për ata që shesin mallra që drejtohen për në Irlandën e Veriut dhe një “korsi të kuqe” me kontrolle ekzistuese për mallrat e destinuara për vendet e BE-së.
Ai gjithashtu do t’i lejojë firmat britanike që eksportojnë në Irlandën e Veriut të zgjedhin midis përmbushjes së standardeve të BE-së ose të Mbretërisë së Bashkuar mbi rregulloren, të cilat pritet të ndryshojnë gjithnjë e më shumë.
Top Channel