Gjykata e Durrësit ka lënë në qeli Hysen Picin që aksidentoi një efektiv policie, teksa nuk iu bind urdhrit të patrullës së policisë për të ndaluar mjetin.
Ngjarja ndodhi të enjten e kaluar në Durrës. Në seancën gjyqësore gjyqtarja Besjana Garxenaj vleftësoi të ligjshëm arrestin e Hysen Pici dhe caktoi masën e sigurimit ”Arrest në burg” për të.
Ndaj Picit janë ngritur tri akuza, ajo e kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik, e armëmbajtjes pa leje dhe e drejtimit të automjeteve në mënyrë të parregullt.
Pici është shfaqur i penduar dhe ka deklaruar se nuk ka dashur të përplasë policët. Sipas dëshmisë së tij, futja kundravajtje në një rrugë me një drejtim lëvizjeje, pasja e një arme me vete dhe të qenit nën efektin e alkoolit e kanë futur në panik ndaj ka dashur të shmangë patrullën. Ai ka deklaruar se ka qenë i vetëm në mjet.
Ndërkohë hetimet për ngjarjen vazhdojnë, ndërsa nuk ka ende konfirmim nga grupi hetimor për të shtëna armësh në lagjen nr.1 të Durrësit ku ndodhi dhe ngjarja.
Top Channel