“Unë kam lindur në burg….!”
Jeta e Simon Mirakës është një dramë me dy akte. I pari nisi brenda një qelie të ftohtë në Shkodër ku ai lindi. Por, kalvari i vuajtjeve do e përndiqte përgjatë gjithë jetës. 44 vite në persekutim i kaloi nga një kamp në tjetrin, më i tmerrshmi ai i Tepelenës.
“Kushtet ishin të paimagjinueshme. Brenda 24 orësh vdiqën rreth 32 fëmije nga mungesa e higjienës dhe e ushqimeve”, tha Miraka.
Akti i dytë i dramës ishte njohja me dosjen e tij, ku lexoi emrat e persekutorëve dhe arsyet e internimit. Ishte 10 vjeç ku mori dënimin e parë.
“Pa asnjë arsyetim ne thjesht konsideroheshim armiq…. “, u shpreh ai.
Por, 32 vite pas rrëzimit të diktaturës, Simon Miraka u ndje sërish i tillë, këtë herë nga politikanët.
Në funksionin e tij në Autoritetin e Dosjeve, ai u zgjodh me votat e socialistëve. Por pak ditë më parë, votat e socialistëve dhe të disa demokratëve, e rrëzuan atë.
“Armiqtë dalin brenda partisë si traditë”, tha ai.
Por ishte firma e Sali Berishës mbi shkresën që i shkoi Kuvendit ishte shkaku zyrtar që Simon Miraka të rrëzohet jo vetëm nga socialistët, por edhe nga demokratët. Me këta demokratë, që vijnë nga shtresa e të persekutuarve, ish i burgosuri politik e ka inatin e tij.
“Kjo ishte dashakeqësi se Alibeaj është jurist dhe nuk njeh ligjin, ligji thotë propozohet nga shoqata e të përndjekurve unë s’jam propozuar nga Berisha. Unë nuk hy në ato diskutime është grata është ‘non grata’ nuk patën kurajën me ngrit dorën me votu duke e ditur se kjo votë pro nuk ndryshon absolutisht asgjë në vendimmarrje sepse spektri majtë e kishte deklaruar zoti Balla se do e hedhim poshtë kur të votohej”, tha ai.
Mallkimi i së shkuarës duket nuk i ndahet Simonit.
Nëse Berisha tërhiqte firmën nga emri i Mirakës, ai do ishte votuar në Kuvend, por një gjë e tillë nuk ndodhi dhe si dikur të gjithë në heshtje, u bënë bashkë kundër Simonit.
Ish komunistë e të majtë dhe të persekutuarit si gjithmonë të përçarë. Por idhujt mbeten idhuj. Edhe kur janë pjesë e tragjedisë që të shkaktojnë.
“Atë që e kam ndërmend me e thënë e them por s’më ka shkuar ndërmend t’i them Berishës se nuk është në karakterin tim, se di çfarë mund të bënte ai vetë”, u shpreh Miraka.
Ndërsa i kërkon Alibeajt përgjegjësi për një vote morale, Simoni kursen Berishën nga kritikat për mostërheqje firme. Ai mbetet deri në fund një njeri i vuajtur dhe i sjellshëm. Vuajtjet që i shkaktojnë akoma deri sot, nuk ia kanë ndryshuar shpirtin.
As Sali Berisha nuk ka ndryshuar. Ai mbetet Sali Berisha që njohim të gjithë edhe për ata si Simoni, që nuk pranojnë ta kritikojnë.
Top Channel