Olaf Scholz e vazhdon sot në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari turin e tij në Ballkan.
Fokusi i bisedimeve në këtë ndalesë të udhëtimit që një ditë më parë e çoi kancelarin gjerman në Kosovë e Serbi, do të jetë mosmarrëveshja mes Shkupit dhe Sofjes që po mban peng çeljen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Bullgaria po e bllokon këtë përpjekje duke ngritur pretendime historike.
Vizita e kancelarit gjerman gjen jehonë edhe në mediat gjermane. Gazeta “Straubiger Tagblatt/Landshuter Zeitung” shkruan se Olaf Scholz ka të drejtë, kur do të mbajë gjallë perspektivën europiane në BE. “Por kjo nuk ka nevojë të qëndrojë tek një anëtarësim i plotë. Bashkimi Europian duhet më të fund të largohet nga ajo “e gjitha ose asgjë”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron së fundmi dha idenë sërish e një bashkësie të zgjeruar politike në krah të BE. Një projekt i tillë do të ishte më i ndershëm se sa premtimet boshe që u bëhen vendeve të Ballkanit.”, shkruajnë ato. Kurse “tagesschau” nënvizon, se kancelari gjerman kërkon të nxisë përpara me “ambicie dhe temp” anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por në vizitën e tij në Serbi ai u ndesh me një arsenal problemesh.
Eksperti për Ballkanin dhe drejtues i Iniciativës Europiane të Stabilitetit, Gerald Knaus u vlerëson vizitën e Scholzit në Ballkan si mjaft të rëndësishme, por edhe me “potencial të madh zhgënjimi”. “Në 10 vitet e fundit njeëzit shohin që nuk ka ecje përpara, që BE nuk mban premtimin”, tha Knaus në një intervistë për televizionin gjerman, ZDF. Gjermania është një vend, nga ku rajoni pret shumë, thekson Knaus, dhe shpreh idenë e zhvillimit të një “ambicie politike nga qeveria e koalicionit gjerman”.
Top Channel