Numri i bareve dhe restoranteve ra me 5,2% vitin e kaluar/ Shoqata: Mbylljet do të vazhdojnë edhe në 2022

10/06/2022 08:31

Baret dhe restorantet vijuan të kenë një vit negativ në 2021, ndonëse kufizimet u lehtësuan dhe aktiviteti ekonomik u gjallërua.

Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve të INSTAT, në vitin 2021 u mbyllën 854 aktivitete të shërbimeve të ushqimeve e pijeve, me rënie 5.2%.

Në vend zhvillojnë aktivitet rreth 15,500 bare e restorante, nga 22 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i preferuar në vend, pas biznesit të tregtisë me pakicë.

Përfaqësuesi i shoqatës së Bareve dhe Restoranteve Enri Jahaj i kontaktuar nga “Monitor” tha se mbyllja e këtyre strukturave është ndikuar nga pandemia.

Shoqata paralajmëron se numri i bizneseve të mbyllura do të rritet edhe në 2022, për shkak të rënies së konsumit nga kriza e përgjithshme e rritjes së çmimeve dhe mungesës së fuqisë punëtore.

Baret dhe restorantet ishin të parët që u mbyllën në fillimin e pandemisë. Rënia e xhiros nga karantina dhe kufizimet e ekonomisë sigurisht që do të jepnin këto efekte. Me krizën që ka pllakosur dhe me rritjen e kostove të lëndëve të para dhe uljen e konsumit do të ketë mbyllje të tjera të këtyre strukturave.

Gjithashtu, sektori po përballet edhe me një tjetër krizë atë të mungesës së fuqisë punëtore. Shumë subjekte bare dhe restorante e kanë të vështirë të gjejnë punonjës të rinj. Edhe ata pak punonjës që kanë mbetur në vend kërkojnë pagesa të larta. Kjo gjendje do të vështirësojë edhe më tepër aktivitetin e këtyre strukturave. Mbylljet do të vazhdojnë edhe në 2022”, pohon Jahaj.

Rritja e kostove parashikohet të reflektohet nga këto subjekte te rritja e çmimeve të produkteve. Nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve më herët u pohua se pandryshueshmëria e çmimeve do të jetë e përkohshme, pasi dhe bizneset nuk do të kenë më mundësi të mbajnë koston e rritjes të çmimeve. Edhe kostoja e bizneseve informale është amortizuar nga bizneset qw ushtrojnë aktivitet të rregullt.

Për vitin 2022, rënia e konsumit në këto sipërmarrje filloi të reflektohet që në muajt shkurt-mars kur pati rritje të çmimeve të produkteve të shportës, por edhe të lëndëve të para nga importi. Ndërsa rritja e çmimeve të ushqimeve rriti presionin për shtrenjtim të çmimeve në bare dhe restorante.

Konsumi pati zvogëlim edhe vitin e kaluar për shkak të pandemisë. Përfaqësuesit e Shoqatës të Bareve dhe Restoranteve nënvizuan më herët se Covid 19 për baret dhe restorantet për vitin 2021 krijoi një model të ri të sjelljes së klientit, pasi shumica prej tyre u mësuan të konsumojnë kafene dhe vaktin kryesor në zyra dhe shtëpi dhe për këtë arsye konsumi ra ndjeshëm./ Monitor

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA