Trafiku i internetit nga rrjetet celulare pothuajse u rrit me 42% në tremujorin e parë të këtij viti.
Të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se trafiku total i të dhënave arriti në 44.5 milionë GB (Gigabyte), duke vijuar rritjen vjetore me ritme mjaft të larta.
Rritja e internetit nga rrjetet celulare ka përmasa të ngjashme edhe e matur si trafik mesatar për përdorues. Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, çdo përdorues shpenzoi 7.22 GB internet në muaj, me një rritje prej 40.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas AKEP, për tremujorin e parë numëroheshin afërsisht 2.06 milionë përdorues të internetit me brez të gjerë nga rrjetet celulare, 1.3% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Statistikat në vitet e fundit tregojnë se shërbimi i internetit po fiton gjithnjë e më shumë peshë në biznesin e operatorëve celularë. Hapësirat e krijuara nga teknologjitë që mundësojnë transmetim të dhënash me shpejtësi të lartë (3G/4G) e kanë ndryshuar në mënyrë rrënjësore përdorimin e telefonave celularë dhe të shërbimeve që operatorët ofrojnë.
Përdorimi i internetit po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt mobilitetit, duke përfshirë informacionin argëtimin, përdorimin e rrjeteve sociale, por edhe plaformat e komunikimit. Në një masë të madhe, aplikacionet e komunikimit të bazuara te interneti po zëvendësojnë edhe komunikimin direkt nëpërmjet rrjeteve celulare.
Kjo shpjegon një tendencë disavjeçare në rënie të trafikut të thirrjeve dhe mesazheve të shkruara nga rrjetet celulare. Për tremujorin e parë të vitit, trafiku i thirrjeve pësoi rënie vjetore me 8.7%, ndërsa ai i mesazheve të shkruara ra me 5.3%.
Me rritjen e peshës së internetit në strukturën e shërbimeve celulare, cilësia e tij po bëhet gjithmonë një element përcaktues në konkurrencën drejt operatorëve. Kjo mund të vërehet qartë edhe në orientimin e fushatave të marketingut. Tashmë, operatorët nuk vendosin theksin vetëm tek leverdia e çmimeve që ofrojnë, por mbi të gjitha tek cilësia e rrjetit dhe shpejtësia e shërbimit të internetit. Investimet në këtë drejtim po bëhen përcaktuese për të fituar më shumë përdorues.
Shifrat e AKEP për tremujorin e parë të vitit treguan se operatori ONE ka vazhduar të fitojë terren në ndarjen e tregut sipas numrit të përdoruesve. ONE ishte i vetmi që raportoi një rritje të numrit të përdoruesve 3G/4G krahasuar me një vit më parë, me 15.3%. Tashmë ONE zotëron 41.3% të tregut të broadband, sipas numrit të përdoruesve.
Vodafone Albania ngelet operatori kryesues edhe për këtë tregues, por në rënie krahasuar me një vit më parë. Numri i përdoruesve broadband të Vodafone ka rënë me 6.8%, ndërsa pjesa e tregut ka rënë në 44.2% (një vit më parë ishte 48.1%).
Operatori i tretë, ALBtelecom, ka pësuar një rënie të mëtejshme të numrit të abonentëve me 6.2%. Mbulimi më i pakët me rrjet 4G dhe cilësia më e dobët e ofrimit të këtij shërbimi kanë qenë një faktor që e ka keqësuar më tej pozicionimin e ALBtelecom Mobile në treg gjatë viteve të fundit. Megjithatë, këtë vit pritet që ALBtelecom të nisë procesin e shkrirjes me ONE Telecommunications, pasi në fillim të vitit të dyja kompanitë u blenë nga hungarezët e 4iG. / Monitor
Top Channel