Kancelari gjerman Olaf Scholz udhëton për herë të parë në Ballkan, mesazhet për Kurtin e Vuçiçin

09/06/2022 18:36

Pesë vende në dy ditë: nën hijen e luftës së Ukrainës, kancelari Olaf Scholz udhëton në Evropën Juglindore. Nga Kosova dhe Serbia ai pret më shumë vullnet për kompromis.

Gjatë udhëtimit të tij në Ballkanin Perëndimor, kancelari gjerman Olaf Scholz (SPD) dëshiron t’i afrojë vendet e Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Të premten (10 qershor 2022) Kancelari Federal Olaf Scholz do të nisë një udhëtim dy-ditor në Evropën Juglindore.  Stacionet janë kryeqytetet Prishtina (Kosovë), Beogradi (Serbi), Shkupi (Maqedonia Veriore) dhe Sofja (Bullgari) si dhe metropoli i Greqisë veriore Selaniku. Fokusi i bisedimeve të tij atje do të jetë afrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në, tha të mërkurën (08.06.2022) në Berlin zëvendës-zëdhënësja e qeverisë gjermane, Christiane Hoffmann. Nga këndvështrimi i Qeverisë Federale, perspektiva e BE-së nuk është e rëndësishme vetëm për sigurinë në rajon, por për të gjithë BE-në. Por procesi i zgjerimit në BE deri më tani ka dështuar – jo vetëm për shkak të mospërputhjeve të brendshme në BE, por edhe për shkak të çështjeve të pazgjidhura në vetë rajonin.

Potencial përshkallëzimi

Rëndësia e rajonit për sigurinë në Evropë del në pah qysh në ndalesën e parë të kancelarit gjerman në Prishtinë. Më 22 qershor 2022, Bundestagu gjerman do të votojë për vazhdimin e mëtejshëm të mandatit për pjesëmarrjen gjermane në forcën mbrojtëse të KFOR-it, e cila ka siguruar paqen atje që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999. Gjatë vizitës së tij, Olaf Scholz do të vizitojë edhe ushtarët e Bundesverit të vendosur atje.

Prania e tyre është e dëshirueshme dhe e nevojshme. Sepse situata, sidomos në veri të Kosovës, konsiderohet si e brishtë. Masat e reciprocitetit të vendosura nga qeveria e Kosovës, Gjermania i konsideron “në thelb të justifikuara”, siç thuhet në kërkesën e qeverisë për zgjatjen e mandatit të Bundesverit. Por ato vazhdimisht bëhen shkas për tensione edhe me Serbinë fqinje. Ashtu si në shtator të vitit 2021, kur Kosova vendosi të mos i njohë më targat serbe dhe Serbia e shtoi ndjeshëm praninë e saj ushtarake në zonën kufitare me Kosovën. Një “reagim i tepruar”, gjykon qeveria gjermane

Takimi mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit kosovar Albin Kurti, i cili u organizua nga kancelari Scholz dhe i kryesuar nga i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajcak në Berlin më 4 maj 2022, nuk çoi në ndonjë afrim mes palëve.

Dialogu pa progres

Dialogu i normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve që mundësohet nga BE-ja që nga viti 2011, gjithashtu po shënon pak progres. Kancelari Olaf Scholz, i cili qysh të premten do të vijojë udhëtimin e tij në Beograd, është përpjekur t’i ulë në tryezë palët. Në fillim të majit, ai organizoi një takim në Berlin mes përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajčák, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Mirëpo, prej tij nuk doli asgjë tjetër, veçse një fotografie gjatë një darkimi.

Në Prishtinë dhe Beograd, kancelari gjerman pritet të kërkojë prej të dyja palëve gatishmëri për kompromise: “Sidomos në kohë si këto, kur jo larg nesh po zhvillohet një luftë brutale, është e një rëndësie qendrore që të dyja vendet të zgjidhin gradualisht konfliktin e tyre”, tha ai në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin kosovar Kurti para takimit në fjalë, më 4 maj në Berlin. “Këtu përfshihet edhe ajo që Gjermania e ka bërë prej kohësh në fund, pra njohjen e Kosovës”, shtoi  kancelari.
Kryeministri Kurti insiston që Kosova të trajtohet si shtet i pavarur dhe i barabartë në negociatat me Serbinë. Njohja duhet të jetë në qendër të negociatave e jo në fund të tyre, tha Kurti para ca kohësh në një intervistë për DW. ​

Presidenti Vuçiq, nga ana e tij, gjatë betimit për mandatin e dytë si president, më 31 maj 2022, u rizotua se do ta kthejë Kosovën sërish si pjesë integrale të Serbisë. Megjithatë, ai i duket se ka nisur t’i përgatitë qytetarët e tij për domosdoshmërinë e arritjes së një zgjidhjeje për Kosovën: “Nga Berlini do të vijnë mesazhe të vështira që nuk do të na pëlqejnë,” tha Vuçiç në televizionin shtetëror serb, të hënën më 6 qershor.

Presidenti Aleksander Vuçiq po përgatit njerëzit e tij për “mesazhe të vështira nga Berlini”. Këtu në konferencën e shtypit me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Berlin

Një nga këto “mesazhet e vështira të Gjermanisë” pritet të jetë çështja e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk iu është bashkuar sanksioneve.

Deri më tani, kancelari socialdemokrat është treguar i rezervuar me kritikat e tij, duke u përqendruar te roli konstruktiv i Serbisë për dënimin e agresionit rus në rezolutat e OKB-së dhe duke vënë në dukje se pavarësisht heqjes së sanksioneve, Serbia ka qëndruar në anën e BE-së.

Dy partitë e tjera të koalicionit bashkëqeverisës flasin me një gjuhë më të qartë. Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock, e cila i përket partisë Të Gjelbrit, kërkon nga Serbia pozicionim: “Kush dëshirion të bëhet anëtar i BE-së, duhet të mbështesë sanksionet”, tha Baerbock në Bruksel në fillim të prillit.

“Fondet e financimit të ngrijnë” – Në një intervistë për DW, ekspertja e FDP për Ballkanin Renata Alt bën thirrje për kushte të qarta për Serbinë, si kandidate për anëtarësim.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Bundestag, deputetja liberale, Renata Alt, e cila e njeh Ballkanin Perëndimor nga detyra e saj e mëparshme si raportuese e grupit parlamentar FDP, kërkon nga kancelari Scholz që ky t’i bëjë më shumë presion Serbisë: “Nëse Serbia vijon me këtë politikë luhatëse dhe largohet gjithnjë e më shumë nga demokracia, unë sugjeroj ngrirjen e fondeve dhe eventualisht pezullimin e negociatave të anëtarësimit në BE”, tha Alt në një intervistë për DW.

Modele të ndërmjetme

Por nuk është vetëm konflikti mes Serbisë dhe Kosovës që po bëhet pengesë për përparim në procesin e anëtarësimit të Ballkanit në BE. Edhe Bullgaria bllokon aktualisht çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, e së bashku me të edhe Shqipërisë, po mban peng procesin. Scholz do ta trajtojë këtë temë të shtunën gjatë vizitave në Shkup dhe Sofje. Shanset që të ketë sukses konsiderohen të vogla.

Sipas vëzhguesve, nëse kancelari nuk arrin t’u mundësojë vendeve të Ballkanit Perëndimor progres në procesin e anëtarësimit, zhgënjimi në rajon do të jetë shumë i madh. Jo te paktë janë zërat që propozojnë ndërkohë modele alternative të ndërmjetme, si ai anëtarësimit të asociiuar për ta mbajtur rajonin të lidhur me BE-në.
Deputeti i CDU-së në Bundestagun gjerman, Knut Abraham, tha për DW se duhen shqyrtuar edhe modele që sipas të cilave këto vende miratojnë pjesë të legjislacionit evropian, sidomos në lidhje me tregun e brendshëm, dhe kështu ato mund të përfitojnë nga avantazhet ekonomike të Evropës pa u bërë ende anëtare të plota”.

Ne duhet të mendojmë për modelet e reja si hapa të ndërmjetëm për anëtarësimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kërkon eksperti i politikës së jashtme të CDU, Knut Abraham.

Nuk ka informacion nëse kancelari do ta diskutojë këtë ide në darkën e tij me të gjithë përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Greqisë, Bulgarisë dhe Turqisë në Selanik, e ku tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre Vuciq dhe Rama e ndërsa Kosova, pas gjasash do të përfaqësohet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.  Pritet që aty Scholz të diskutojë për Procesin e Berlinit trashëgiminë e ish-kancelares Merkel në Ballkan. /DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA