Katër ditë zjarre kanë djegur dhjetëra hektarë tokë me bimë në ishullin e Sazanit.
Atje sot ka shkuar gazetari i Top Channel, Mikel Marsi. Pamjet tregojnë shkurre dhe pisha të shkrumbuara.
Nuk ka ende të dhëna për kafshët që janë djegur nga flakët, ndërkohë që janë shkatërruar dhe disa objekte të vjetra që ndodheshin në vatrat e zjarrit.
Vatrat e zjarrit në ishullin e Sazanit u neutralizuan një ditë më parë, pas ndërhyrjes së avionit “Canadair CL 415”, i ardhur si mbështetje nga Greqia.
Prej katër ditësh një re ngrihej mbi ishullin më të madh të Shqipërisë, duke shkatërruar pishat shekullore. Një rrezik evident në ishull ishin edhe municionet e mbetura të cilat mund të shpërthenin nga nxehtësia. Sazani është shtëpi për 16 specie të rralla, tre prej tyre amfibësh dhe 13 zvarranikësh.
Top Channel